Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sot në të gjithë qarqet e vendit, besimtarët myslimanë falën namazin për festën e Kurban Bajramit, që njihet ndryshe si “festa e flijimit”. *Mijëra besimtarë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” uruan njëri tjetrin për begati në familje, ndërsa kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, bëri thirrje për angazhim në mënyrë që të kemi një shoqëri më të drejtë. *Myftinjtë në qarqe të ndryshme u përqendruan tek thirrja e tyre ndaj të rinjve për të mos e braktisur vendin. *Edhe krerët e politikës uruan besimtarët për festën e rëndësishme në kalendarin islam.
Mijëra besimtarë në qarqe të ndryshme falin namazin, myftinjtë: Mos e braktisni vendin, s'është kjo zgjidhja
Në të gjithë qarqet e vendit, u fal sot namazi i festës së Kurban Bajramit që shënon ditën e përkushtimit ndaj Zotit. Mijëra besimtarë mbushën xhamitë dhe sheshet në qytete të ndryshme dhe uruan njëri-tjetrin për më shumë mbarësi e begati në familjet shqiptare.
Myftinjtë e xhamive në Durrës, Fier, Vlorë, Korçë, Shkodër e Tiranë u bënë thirrje besimtarëve për angazhim më të madh në mënyrë që të kemi shoqëri sa më të mbarë.
Në Shkodër myftiu Arben Halluni u bëri thirrje shqiptarëve që të mos braktisin vendin pa bërë përpjekje për ndryshim. Ai tha se zgjidhja nuk është ikja dhe se nuk mund të presim që kombi ynë të ndërtohet nga të tjerët.
“Thirrja jonë e vazhdueshme është që mos të braktisin vendin dhe të mos largohen pa u përpjekur këtu. Ikja nuk është zgjidhje dhe nuk mund të presim që të tjerët të na ndërtojnë kombin, sepse ne jemi përgjegjës, ashtu siç janë edhe ata që na drejtojnë”, tha Halluni.
Mesazhe për harmoni në familje dhe për lindshmëri më të madhe u dhanë nga drejtuesit fetarë të qarqeve të tjera të vendit. Versus.al




Sot Kurban Bajrami, besimtarët myslimanë falin namazin tek 'Dëshmorët e Kombit'! Spahiu: Të punojmë për shoqëri të drejtë

Mijëra besimtarë myslimanë u mblodhën në orët e para të mëngjesit të së premtes në bulevardin “Dëshmorët e “Kombit” në kryeqytet për të falur namazin e festës së Kurban Bajramit.
Kreu i komuniteit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu mbajti një fjalim të shkurtër para besimtarëve ku u përqendrua tek nevoja e përpjekjeve për një shoqëri më të drejtë dhe në shërbim të personave në nevojë.
“Si rrallëherë, sot bashkohet dita më e bukur e javes, e xhumasë, me ditën më të bukur të vitit, atë të Kurban Bajramit, një gëzim i dyfishtë.. Shqiptarët të punojnë për një shoqëri më të drejtë e të begatë. Sfidat ekonomike e sociale kanë prekur shumë familje, duhet të duam njëri-tjetrin dhe të ndajmë sofrën tonë. Të shkojmë tek të moshuarit, tek fëmijët, tek të sëmurët”- u shpreh Spahiu mes të tjerash.
Kjo festë njihet si “festa e flijimit” ose dita e përkushtimit ndaj Zotit dhe në këtë ditë besimtarët sipas mundësive bëjnë ‘kurban’. Emërtimi “Kurban Bajrami” në gjuhën shqipe është huazim nga turqishtja – Kurban Bayramë, që do të thotë “Festa e Flijimit”. Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë.
Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit. Kurban Bajrami është festa e mposhtjes së egos sonë, mposhtjen e nepsit që gjithmonë kërkon të jetë para. Akti i Kurbanit konsiston në therjen e një kafshe si flijim për të shënuar këtë rast në përkujtim të flijimit të Profetit Ibrahim për Zotin. Versus.al uron të gjithë besimtarët: Gëzuar Kurban Bajramin!







