Çfarë do të gjeni në brendësi
*Debati për kualifikimin e Aurora Polos si kandidate për postin e kreut të RTSH dhe eleminimi i 8 kandidaturave të tjera, është zhvendosur së fundmi edhe në Kuvend. *Sot anëtarët e këshillit drejtues me në krye Leka Bungon janë paraqitur në komisionin e Medias për të dhënë sqarime. Leka Bungo ka argumentuar se ai i vetëm ka kundërshtuar përballë votave të anëtarëve të tjerë të cilët kanë votuar pro Polos. *Bugo tha se Polo është në konflikt interesi dhe se nuk përmbush as kriteret më minimale për pozicionin, duke theksuar se nuk ka punuar asnjë ditë në media dhe se është diplomuar për inxhinieri. *Mes të tjerash, tha se për situatën ka njoftuar edhe kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentaren Elisa Spiropali, por ende nuk ka marrë përgjigjie. *Ndërsa anëtarët e tjerë të këshillit argumentuan se veprimet e tyre përkundër pretendimeve të Bungos, kanë qenë ligjore.
“S’ka punuar një ditë në media”, Bungo për kandidaturën e Polos në krye të RTSH: E diplomuar për inxhinieri

Debati brenda Këshillit Drejtues të RTSH për miratimin e Aurora Polos si kandidate për drejtoreshë është zhvendosur sot në Kuvend në komisionin e medias pas kërkesës së Leka Bungos për shkrirjen e këtij këshilli.
Bungo si kryetar i institucionit, tha se miratimi i kandidaturës së Polos me shumicë votash, është totalisht kundër ligjit duke qenë se ajo është diplomuar për inxhineri dhe nuk ka punuar asnjë ditë në media. Duke shtuar më tej gjithashtu se kishte edhe një biznes, gjë që ligji nuk e lejon si kriter në kushtet që duhet të përmbushin kandidatët për drejtorë të përgjithshëm.
“Ne zgjedhim me shumicë votash për të kandiduar një person që ka mbaruar për inxhineri dhe nuk ka punuar asnjë ditë në media. Ajo është në konflikt interesi të hapur dhe kjo është mungesa e dëshirës për të sjellë dokumentat e kërkuara nga ligji. Nëse do t’i sillte, do të mësohej se ajo ka biznes. Sipas gjykimit tim, duhet të kishte dhënë si drejtoreshë në detyrë për të kandiduar si drejtoreshë, nga ana morale flas. Ajo jep urdhra, emëron njerëz të tjerë në punë”- deklaroi Bungo. Versus.al
“Shumicë fallco kundër ligjit”, Leka Bundo për këshillin e RTSH: I çova letër Ramës e Spiropalit, s’kam marrë përgjigjie
Kreu i Këshillit Drejtues të RTSH, Leka Bungo në komisionin për median ka argumentuar qëndrimin e tij kundër pranimit të Aurora Polos si kandidate për drejtoreshë të televizionit shtetëror.
Ai tha se anëtarët e këshillit po veprojnë në kundërshtim me ligjin në këtë procedurë dhe ka zbuluar se pavarësisht se ka dërguar letër drejt kryeparlamentares Elisa Spiropali dhe kryeministrit Edi Rama, nuk ka marrë asnjë përgjigje mbi ankesat e tij.
“Është krijuar një shumicë fallco që vendo edhe në kundërshtim me ligjin. Kjo shumicë fallco është e dokumentuar në zgjedhjen e zv.drejtoreshës së zgjedhur në kundërshtim me ligjin. Edhe votimi i saj për të dalë direkt në paraqitjen para këshillit për drejtoreshë të përgjithshme ku është votuar prapë me shumicë votash. I vetmi që kam qenë kundër atëherë edhe këtë herë, i kam të shkruara e të deklaruara. Dikush në mbledhjen ku unë kam munguar, më janë vërsulur përse paskam munguar. Ndërkohë që një mbledhje më parë kam deklaruar se do e hidhja çështjen në ligj dhe derisa të zgjidhet, nuk do merrja pjesë në mbledhjen e këshillit.
I kam dërguar letër kryetarit të KLSH, nuk më ka dhënë përgjigje. Kam dërguar letër ndaj kryeparlamentares dhe kryeministrit Edi Rama. Ndoshta për efekt kohe sepse letrat i kam dërguar vonë, nuk kam marrë përgjigje fare”- u shpreh Bungo ndër të tjera.
Çështja e drejtuesit të RTSH është kthyer në një debat të madh brenda këshillit drejtues pasi vetë kreu i këtij këshilli, Leka Bungo kërkoi shkrirjen e institucionit për shkak se po vepron në kundërshtim me ligjit. Përplasjet u shkaktuan pas skualifikimit të disa prej kandidaturave për kreun e RTSH, mes të cilave ishin emra të njohur të botës së medias. Ndërsa 8 anëtarët e tjerë të këshillit drejtues pretendojnë se procesi ka qenë ligjor, Leka Bungo argumenton se është krijuar një shumicë kundër ligjit që miraton si kandidatë persona që nuk përmbushin kriteret minimale. Versus.al








