Çfarë do të gjeni në brendësi
*Vetëm një minutë heshtje ka qenë momenti kur PD dhe PS janë bashkuar gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend ku pati më së shumti debate lidhur me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brendsa sallës së gjyqit. *Si pasojë e debateve që zgjatën për 2 orë, u bë i pamundur prezantimi në Kuvend i raporteve të 4 institucioneve. Opozita kërkoi që dy ministrat e rinj, Besfort Lamallari në Drejtësi dhe Albana Koçiu e ministrisë së Brendshme të mbanin përgjegjësi për ngjarjen e rëndë. *Ndërsa këta dy të fundit, nuk ngurruan t’u përgjigjeshin demokratëve edhe me etiketime të ndryshme duke shkaktuar acarim dhe përplasje të herëpashershme.
“Njeriu më i pështirë në politikë”, ministrja shpërthen ndaj Nokës: Policia s’ka përgjegjësi

Deputetët e Partisë Demokratike kanë kërkuar sot dorëheqjen e Albana Koçiut nga posti i ministres së Brendshme pas ngjarjes së ndodhur të hënën ku u vra brenda sallës së gjyqit gjyqtari Astrit Kalaja.
Kjo solli reagimin e ashpër të Koçiut e cila shpërtheu ndaj deputetit Flamur Noka të cilin e quajti “të përshtirë”. Ndërsa pretendoi se nëse ndonjë polic do të kishte përgjegjësi në ngjarjen ku u vra gjyqtari, do të ishte arrestuar.
“Ti je njeriu më i pështirë që mund të ekzistojë në këtë politikë parlamentare. Meqenëse ju dëgjova të gjithëve dhe keni merakun e njoftimit tim publik. Gjuha e përdorur duke më etiketuar sikur kam gënjyer dhe mashtruar, është në shkelje të përgjegjësisë që kam dhe në shkelje të përgjegjësisë që kryen policia. Ju e dini shumë mirë se nëse do kishte përgjegjësi një polic i shtetit, sot do të ishte në arrest. Policia e shtetit ka kryer të gjitha procedurat e rregullta ligjore”- tha Koçiu. Versus.al
“Akoma nuk janë bërë të 7-at”, Lamallari shpërthen ndaj PD: Ngjallni urrejtje për gjyqtarët e prokurorët
Kuvendi sot u përfshi nga përplasjet e forta mes deputetëve të mazhorancës e opozitës lidhur me ngjarjen e ndodhur të hënën ku brenda sallës së gjyqit u vra me armë zjarri Astrit Kalaja. Pasi u mbajt një minutë heshtje, opozita ka kërkuar që ministrja e Brendshme, Albana Koçiu të japë dorëheqje nga posti që mban.
Kjo ka sjellë reagimin e ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari i cili ka akuzuar opozitën se ka ngjallur gjuhë urrejtje ndaj gjyqtarëve e prokurorëve me akuzat e tyre të vazhdueshme.
“është e rëndë, akoma nuk janë bërë të shtatat. Keni përgjegjësi për gjithë gjuhën denigruese që keni përdorur ndaj gjyqtarëve. Nga daljet në ballkon që keni përmendur SPAK, e Dumdumani, e Altin Troplini. Këto janë akuzat ndaj tyre, sigurisht që ndodhin ngjarje të tilla se ju i ndërseni militantët”- u shpreh mes të tjerash ministri. Versus.al
Ndërpritet Kuvendi/ “Idiot”, Balla-Nokës: Kërko falje, ose duhet të përjashtohesh
Seanca e sotme plenare nisi me debat mes opozitës dhe mazhorancës, ndërsa deputeti i PD ofendoi ministrin Besfort Lamallari duke e quajtur: idiot.
Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla kërkoi që Flamur Noka t'i kërkonte ndjesë publike Lamammarit.
“U bë seanca e disatë radhazi, por sot po arrihet kulmi, kërkohet fjala për procedurë. Në procedurë kërkohet dorëheqja e një ministri. Në seriozitetin e një parlamenti, një grup parlamentar i disa deputetëve, nëse do të kishte dhembur shpirtin seriozisht, mund të kishin ardhur me kërkesë procedurale. Javën e ardhshme do të kemi një debat 12 orë e gjysmë për 5 institucionet e drejtësisë që do raportojnë.
Nuk mund të kryej më debat për një çështje, fyejmë familjen e të ndjerit. Presin distancim, që nga dera e gjykatës kërcënojnë prokurorë e gjyqtarë. Unë jam i shumicës, fjala për procedurë merret kur bëhet fjalë për rendin e ditës. Kemi bërë diskutim në Konferencën e Kryetarëve, sot tha njëri, nuk do kemi teatër. Ky njeri këtu nuk ka vend, i bërtiste ministrit ‘o idiot’. Ose t’i kërkojë ndjesë ministrit, ose zoti kryetar kërkoj 5 minuta pushim dhe ky person të dalë jashtë”, tha Taulant Balla. Versus.al







