Çfarë do të gjeni në brendësi
*Këshilli i Legjislacionit u mblodh sot me urdhër të kryeparlamentares Elisa Spiropali sa i takon kërkesës së bërë nga deputetët e PD për diskutimin në seancë vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku kërkohet që Kuvendi t’i dërgojë për shqyrtim mandatin e deputetes Olta Xhaçka e cila dyshohet për konflikt interesi. *Në mbledhje socialistët u shprehën ndryshe nga qëndrimi që kishin mbajtur më herët duke propozuar që vendimi i Kushtetueses për shqyrtimin e mandatit të Xhaçkës të kalojë për diskutim në seancë plenare, por duke theksuar se nuk është e nevojshme që të ketë një raport nga këshilli. *Bardhi e mirëpriti ndryshimin e socialistëve për çështjen e mandatit të Xhaçkës dhe kërkoi që çështja të përfshihet në seancën e parë të sesionit parlamentar. Ndër të tjera ai akuzoi qeverinë se kanë krijuar një precedent të rrezikshëm duke mos respektuar më herët vendimin e Gjykatës Kushtetuese që urdhëronte Kuvendin t’i dërgonte për shqyrtim çështjen e mandatit të Xhaçkës. *Seanca plenare ku do të diskutohet për vendimin e Kushtetueses, do të mbahet më 12 shtator, ndërsa pritet të ketë edhe një raport të dakordësuar mes palëve deri të premten, për t’u firmosur më pas nga të gjithë anëtarët.
Mandati i Xhaçkës shqyrtohet nga Kuvendi më 12 shtator, deputetët detyrim të votojnë 'pro'

Ditën e sotme u mblodh Këshilli i Legjislacionit ku u vendos kalimi në seancë plenare në datë 12 shtator për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që urdhëron Kuvendin t’i dërgojë për shqyrtim çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka e cila dyshohet se është në konflikt interesi.
Në seancën që do të zhvillohet në 12 shtator, opozita dhe Partia Socialiste, do të çojnë dy opinione të ndryshme, njëri prej të cilëve duhet të votohet nga deputetët për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese.
Do të jetë kjo e fundit ajo që do të përcaktojë nëse mandati i deputetes Xhaçka është në konflikt interesi sipas nenit 70, pika 3 dhe 4 që parashikon Kushtetuta e Shqipërisë.
Opozita pretendon se Xhaçka është në konflikt të hapur interesi për shkak të titullit investitor strategjik që i është dhënë bashkëshortit të saj nga qeveria, pretendim që mohohet nga deputetja.
Ndërkohë Këshilli i Legjislacionit si organ këshillimor përgatiti një draft raport ku renditen 4 hapat që duhet të ndërmerren për zbatimin e vendimit.
1. Kryetarja e Kuvendit duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”.
2. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.
3. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin “PRO” projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
4. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin./ Versus.al
“Ju ka bërë mirë dielli i verës”, Gogu i përgjigjet opozitës për mandatin e Xhaçkës: Po bëni xhonglerin politik

Është mbyllur me batuta e sotme e këshillit të Legjislacionit ku u vendos kalimi në seancë plenare në datë 12 shtator vendimi i Gjykatës Kushtetuese që urdhëron Kuvendin t’i dërgojë për shqyrtim çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka e cila dyshohet se është në konflikt interesi.
Ajo çfarë nuk pritej ka qenë qasja e socialistëve, të cilët kërkuan që demokratët të mos vonojnë zbatimin e vendimit të Kushtetueses, paçka se ishin këta të fundit që këmbëngulën që çështja të kalojë sa më parë në Kuvend.
Gogu tha se opozita po përpiqet ta përdorë vendimin e Kushtetueses sipas interesit të saj, ndërsa kërkoi që të mos ketë raport dhe çështja të kalohet për diskutim në Kuvend.
Nga ana tjetër, demokratët u shprehën të habitur për ndryshimin e qëndrimit të socialistëve sa i takon urdhrit të Gjykatës Kushtetuese pavarësisht se kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi pati deklaruar se asgjë nuk i imponohet vullnetit të deputetëve.
Pjesë nga debati në këshill:
Gogu: GJK ka thënë mos e komentoni më, merreni dhe çojeni në seancë. Dhe seanca vendos. Të flasësh si idhtarë i mbrojtjes së vendimeve të GJK dhe ta vonosh zbatimin e vendimit të Kushtetueses duke bërë diskur politik këtu për një orë, do të thotë se kërkon të bësh xhonglerin politik. Nuk ka nevojë për raport të zgjatemi, thjesht e çojmë në seancë. E kuptoj se doni të bëni si mendja pas GJK por nuk e nderoni Kushtetuesen në këtë gjë
Dhurata Çupi: Më vjen mirë që dielli i verës iu ka future në përgjegjësinë për të zbatuar kushtetutën.
Korreshi: Duket këtu sikur po shkallojmë. Ne jemi zënë në këshill legjislacioni. Kur thonim ne ta çojmë në seancë, ju e refuzuat. Quajeni si të doni por një copë letër duhet ta çojmë atje. Shyqyr që arriti kjo ditë ku 10 juristëve nuk ka nevojë t’ua shpjegojnë ata nga jashtë sesi bëhet rakia.
Bardhi: Biem dakord që ta dërgojmë në seancë plenare. Kolegët deri të premten të firmosin atë çfarë duan të shtojnë në raportin përfundimtar dhe më pas ta firmosim në fund.
Seanca plenare e Kuvendit ku do të diskutohet vendimi i Kushtetueses për mandatin e Xhaçkës pritet të mbahet më 12 shtator. Versus.al
Mandati i Xhaçkës, PS ‘ndryshon qëndrim’: Ta kalojmë në seancë! Bardhi: SPAK të hetojë ata që nuk zbatuan vendimin e GJK

Partia Socialiste duket se ka ndryshuar qëndrim sa i takon urdhrit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese për të votuar në Kuvend shqyrtimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka e cila dyshohet se është në konflikt interesi.
Në seancën e Këshillit të Legjislacionit të mbajtur sot, deputetja Klotilda Bushka tha se propozimi i tyre është që projektvendimi i Kushtetueses, të kalojë për diskutim në seancën e parë të Kuvendit duke argumentuar sipas saj se nuk është e nevojshme krijimi i një raporti nga ky këshill për mandatin e Xhaçkës.
“Siç edhe ju e thatë, nisur nga arsyetimi i urdhërimit të GJK, ky këshill duhet t’I propozojë kryetares së Kuvendit ta përfshijë këtë projektvendim në rendin e ditës së seancës më të afërt. Nuk besoj se ka nevojë për një raport, por vetëm për t’ja bërë këtë rekomandim kryetares së Kuvendit.
Çdo arsyetim tjetër nga ana jonë do konsiderohej si jo në përputhje me vendimin Gjykatës Kushtetuese. Pra kryetares t’i propozohet që ky projektvendim të përfshihet në seancën më të afërt. Nuk ka munguar vullneti ynë për të respektuar vendimin e GJK, por çështjet kanë pasur nevojë të kenë disa sqarime”- tha Bushka.
Nga ana tjetër, Bardhi pavarësisht se mirëpriti ndryshimin e PS tha se mazhoranca kishte krijuar precedent antikushtetues duke mos zbatuar vendimin e detyrueshëm të GJK.
“E vërteta është pak ndryshe nga sa e thjeshtoi Bushka. GJK në vendimin 55 të 2024-ës, ka konstatuar për herë të parë që një mazhorancë politike në Kuvend ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të Gjykatës Kushtetuese. GJK ka dhënë në 2023-in të njëjtin vendim, por me një vendimmarrje politike të paprecedentë ju shpallët pavarësinë nga vendimet e GJK”- u shpreh Bardhi.
Më tej shtoi se të gjithë ata që nuk zbatuan vendimin e Kushtetueses, duhet të vihen nën akuzë nga SPAK.
“Më bëhet qejfi që keni ndryshuar qëndrim sot sepse më parë keni thënë që do bëni çfarë të doni pavarësisht asaj që thotë GJK. Ka qenë kjo deklarata e ish-kreut të grupit tuaj parlamentar. Kjo çështje ka nisur diskutimin që në qershor të vitit 2022 dhe jemi 2 vite me vonese për të respektuar këtë vendim. Bashkëpunëtorja e Edi Ramës është kapur në flagrancë në përfitimin e pasurive publike. Kjo përbën një shkelje të rëndë të Kushtetutës që duhet të shqyrtohet me themel nga GJK. Ju po mbroni një aferë korruptive dhe po jepni mesazhin më të gabuar drejtësisë se nëse merr vendime pa leje nga Rama, ato nuk do zbatohen. Ju ishit të urdhëruar politikisht dhe shkelët kushtetutën. Të gjithë ata që nuk zbatuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese do duhet të jenë persona nën akuzë nga prokuroria e posaçme”- shtoi kreu i grupit parlamentar të PD. Versus.al
Mandati i Xhaçkës rikthen deputetët nga pushimet, Kuvendi mblidhet sot jashtë sesionit
Kuvendi do të mblidhet sot jashtë sesionit parlamentar për të shqyrtuar mandatin e deputetes Olta Xhaçka në Këshillin e Legjislacionit. Vendimi për këtë mbledhje u mor nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali pas kërkesës së bërë nga opozita.
Synimi i mbledhjes është shqyrtimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila urdhëroi Kuvendin t’i dërgojë gjykatës mandatin e Xhaçkës për të përcaktuar nëse kjo e fundit është në konflikt interesi.
Në një vendim të marrë në korrik të këtij viti, Gjykata Kushtetuese theksoi se deputetët janë të detyruar ta dërgojnë për shqyrtim mandatin sa më shpejt pasi bëhet fjalë për vendim detyrues. Mirëpo socialistët nuk mendojnë në të njëjtën mënyrë pasi vetë kreu i grupit parlamentar asokohe, Bledi Çuçi tha se deputetët janë të lirë të votojnë si të duan madje propozoi që çështja të dërgohet në komisionin e Venecias për opinion.
Mbledhja e sotme e këshilli të legjislacionit, i rikthen deputetët nga pushimet ndërsa mandati i Xhaçkës për konflikt interesi për shkak të statusit të investitorit strategjik që mban bashkëshorti i saj, mbetet kryetemë e ditës. Vetë Xhaçka më herët, ka mohuar vazhdimisht që jetë në konflikt interesi duke pretenduar se bashkëshorti i saj nuk është favorizuar për të përfituar këtë status. Versus.al








