
Mëngjesin e sotëm u dha lajmi për aksionin e SPAK në qytetin e Durrësit ku ishin lëshuar disa masa sigurie. Por teksa u publikuan disa prej emrave, u vu re se njëri prej tyre ishte vëllai i Loer Kumes, deputetit të Partisë Socialiste. Ky i fundit rezultoi i ftuar live në një emision televiziv gjatë mëngjesit dhe u përgjigj për lajmin duke thënë se ai ishte informuar që prej mbrëmjes së djeshme për këtë gjë.
Ndërsa tha se përgjegjësia ishte personale, Kume pretendoi se vëllai i tij është i pafajshëm derisa të provohet e kundërta. Detajet e publikuara nga SPAK, zbuluan për publikun se vëllai i tij ishte arrestuar si pjesë e grupit të Avdylajve të Shijakut nën dyshimin se ka qenë i përfshirë në ekzekutimin e Ilir Kuçit në janar të vitit 2021 në Durrës.
Ishte Astrit Avdylaj ai që e organizoi ekzekutimin për t’u hakmarrë ndaj Kuçit si pasojë e një atentati që viktima kishte bërë më herët ndaj nipit të tij Aldo Avdiaj i cili gjithashtu është në kërkim.
Enea Kume dyshohet të ketë patur rolin e ndihmësit në këtë atentat mafioz, ndërsa ekzekutorë dyshohet të kenë qenë shtetasit, E.D dhe A.D. Në lidhje me këtë fakt po hetohet për identifikimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.
Kështu SPAK e akuzon vëllain e deputetit socialist për 3 vepra të rënda penale:
A - “Vrasje me paramendim”, kryer per hakmarrje, në dëm të shtetasit Edmir Bregu alias Ilir Kuçi (Maloku) në datën 24.01.2021 në qytetin e Durrësit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
c. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 278/1, 28/4 dhe 334, paragrafi i parë të Kodit Penal. Versus.al







