Çfarë do të gjeni në brendësi
*I penduari tjetër i drejtësisë për dosjen ‘Plumbi i Artë’, Erion Alibej ka rrëfyer detaje të reja rreth vrasjeve të kryera me porosi prej tij me qëllim kryesor hakmarrjen për masakrën e Bradasheshit në 2018-ën ku i ishte vrarë vëllai Endrit Alibej dhe daja i tij. *Ashtu siç e ceku në dëshminë e dhënë në GJKKO herën e kaluar, Alibej foli për armët që blinin tek një hoxhë në Tiranë për të cilin thotë se kontaktet me të i kishte mbajtur Sandër Baho. Sipas tij çmimet varionin nga 500 deri në 3500 euro. *Ndërsa më tej rrëfeu se për vrasjen e Dorian Shkozës (pjesë e grupit të Talo Çelës) kishte paguar 100 mijë euro vrasësin me pagesë Nuredin Dumanin. Sa i takon vrasjes së vëllezërve Haxhia në Durrës, Alibej rrëfeu se i kishte dhënë Dumanit një kallashnikov dhe një pistoletë ndërsa zbuloi se plani kishte qenë të vriteshin Altin Ndoci dhe Besmir Haxhia, por u vra edhe Viktor Haxhia i cili ndodhej rastësisht në makinë. *Detaj interesant gjatë rrëfimit të tij, është fakti se pasi ishte thirrur në prokurori për vrasjen e vëllezërve Haxhia, kishte shkuar me motor i maskuar si shpërndarës picash.
Vrasja e Emiljano Ramazanit, Alibej: Na shpëtoi disa herë! Doja të vritej edhe Bujar Çela, s'di pse s'u bë

Emiljano Ramazani, i ekzekutuar në korrik 2020 në Elbasan, ishte objektivi kryesor i një plani të përgatitur nga grupi kriminal ku organizator ishte Erjon Alibej, i njohur si “Krymi”. Alibej zbuloi në një deklaratë se para Ramazanit, qëllimi fillestar ishte vrasja e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, por kjo nuk u realizua.
Sipas Alibej, për vrasjen e Ramazanit u përdorën informatorë të shumtë, përfshirë Elio Bitrin, Xhuljano Hoxhën dhe Henrik Hoxhajn, i cili ishte edhe shofer gjatë atentatit. Ekzekutori ishte Skerdi Tase, i cili qëlloi viktimën me pistoletë TT pranë pallatit ku Ramazani po hynte për të parkuar makinën.
Pas ekzekutimit, autorët dogjën makinën në një zonë të pyllëzuar në Papër, ku u gjetën edhe dy armë kallashnikov.
“Në atë periudhë po interesoheshim edhe për Bujar Çelën, vëllanë e Talo Çelës. Këtë si punë e mori Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase. Nuk u realizu për arsye që nuk e di. Gjatë kohës më pas vendosëm për Emiljanon Ramazanin. Për Ramazanin kishim informator përveç Nuredinit, kisha edhe Elio Bitrin dhe Xhuljano Hoxhën.
Arsyeja ishte Emiljano Ramazani, ishte aktiv nga grupi Çopja dhe Bujar Çela. Janë bërë disa herë raste dhe nuk është arritur ekzekutimi, na ka shpetu. E dinim që Emiljano shkonte në palestër. Vonohet shumë edhe te palestra dhe përsëri tërhiqen. Ditën e vrasjes sapo doli nga plaestra, informator kisha Henrik Hoxhaj ishte në timon dhe Skerdi Tase ekzekutor dhe e pritën në rrugë kryesore, pranë pallatit që do futej Emiljano Ramazanit.
Sa ka ardhur Ramazani, ka zbritur Skerdi me TT. Pas vrasjes ka djegur makinën në dalje të Elbasanit dhe armën donim ta çonim në shtëpinë e Bujar Çelës,” - tha Alibej.
Si ndodhi vrasja e Emiljano Ramazanit
Emiljano Ramazani, babai i katër fëmijëve u ekzekutua në korrik të 2020 me pesë plumba në makinën e tij. Viktima mësohet se po hynte në mes të dy pallateve për të parkuar mjetin e tij, ndërsa një nga autorët ka parkuar mjetin buzë rrugës dhe tjetri ka zbritur dhe me hap të shpejtë ka arritur ta qëllojë me pesë plumba viktimën në momentin që ky i fundit ishte duke parkuar. Më pas, autorët janë larguar duke djegur makinën në një zonë të pyllëzuar, në Papër. Policia gjeti në mjetin e djegur edhe dy armë të tipit kallashnikov.
Atentati i Emiljano Ramazanit, shkak pazaret e drogës
Vrasja lidhet me konfliktet për shpërndarjen e kokainës në qytet pasi viktima njihej nga policia si shpërndarës kokaine në qytetin e Elbasanit. Madje Ramazani ishte proceduar tre herë për këtë veprimtari kriminale ku një hërë ishte dënuar dhe dy herë ishte deklaruar i pafajshëm, megjithëse në dosje nuk mungonin provat.
Hera e fundit që Emiljano Ramazani ishte proceduar ka qenë në vitin 2017 për shpërndarje kokaine. Prokuroria e Elbasanit ne 2018 ka kërkuar dënimin e tij me 8 vite burgim për akuzën e shpërndarjes së kokainës në qytet, si dhe iu sekuestruan kokainë,disa pasaporta dhe disa telefona.
Ndonëse Alibej e përmend si “peng”, në fakt ndoshta po përgatitet për ta rrëfyer më vonë vrasjen e Bujar Çelës.

Vetëm dy muaj pas vrasjes së Emiljano Ramazanit në 17 shtator të vitit 2020, Bujar Çela është ekzekutuar në një kafene në Bradashesh të Elbasanit. Ndaj Bujar Çelës u shtinë 20 plumba të kalibrit 7.65 mm. Duke përsëritur të njëjtën skenë, vrasësit e dogjën mjetin në fshatin Murrash, që sërish i ishin vjedhur targat një qytetari nga Rrogozhina. Për vrasjen Erjon Alibej ka dhënë 60 mijë euro, të cilat ekzekutori Nuredin Dumani ua ka shpërnarë dy bashkëpunëtorëve të tij (sipas rrëfimit që ka bërë), Enverit dhe Besit ndërsa vetë nuk ka mbajtur lekë dhe është larguar në drejtim të Kosovës. Versus.al
‘Dumanit i bleva shtëpi dhe e strehova në Elbasan’, Alibej: Si u shpëtoi Talo Çela nga pularia

Në një rrëfim ekskluziv, Alibej tregon se si e ndihmoi Dumani duke i blerë një shtëpi në Elbasan dhe si e strehonte aty familjen e tij. Ai përshkruan gjithashtu përplasjet dhe aksionet te një pulari në tentativë për të kapur Talo Çelën, i cili shpëtoi dhe iku. Veprimet e koordinuara të Nuredinit dhe djemve nga Fushë Kruja nuk arritën të kapnin Çelën, i cili i iku “në skenë”. Alibej sqaron se si u zhvilluan ngjarjet.
Alibej: Dumani ishte shpërngulur në Spille dhe ishte në gjendje jo të mirë dhe vendos të marrë në Elbasan. I kam blerë një shtëpi, e kam kompletuar dhe para se ta shpërngulja familjen e tij fillimisht ka ardhur Nuredini.
I kam thënë Sander Bahos dhe ai shkoi ta marrë në dalje të autostradës dhe fillimisht Dumani ka qëndruar te shtëpia e Sandrit.
Morën një info për Talo Çelën që strehonte Abedin Maman. Për të shkuar deri atje në fshat, Nuredini është angazhuar me djemtë e Fushe Krujës, njëri quhej Veri dhe tjetri Besi. Janë bërë veprime te pularia, kanë hyrë brenda për ta kapur Talon dhe ai i iku. Janë kthyer te shtëpia e Sander Bahos dhe djemtë e Fushe Krujës në vendin e tyre.
Pas disa kohësh që Nuredini ka qëndruar te shtëpia e Sandrit, e kam tërhequr te shtëpia që kisha marrë.
Nga fundi i prillit kam pas një djalë që quhej Endri Karaj dhe ka kërkuar të flasë me mua. I shkruaj në aplikacion dhe më thotë “do të flas me ty Xhuljan Hoxha,” dhe i them “nuk jam në Shqipëri,” por unë isha te shtëpia në Elbasan.
Kam lidhur kontakt me Xhuljan Hoxhën, ku më ka dërguar foto të këtyre. Dhe më thotë që Rigers Runaj i jep të gjitha informacionet që i ke afër shtëpisë.
Dhe shumë pak kam biseduar dhe i thashë “kur të vij në Shqipëri do të them që di të të takoj fizikisht.” Versus.al
Ekzekutimi i vëllezërve Haxhia, Alibej: Pas vrasjes më thirri Prokurori, shkova me motor si shpërndarës picash

Alibej rrëfen se ai vetë rrija në shtëpi, por që herë pas here vinin miq e shokë me takon. Në këtë rrjet ishte përfshirë edhe policia, me emra si Leonard Palushi dhe Arjan Spahiu, i cili ishte në dijeni të planeve dhe madje i kishte dhënë ndihmë financiare. Arjan, thotë Alibej, fliste edhe me një person me emrin “Fat Katnari”, që kishte informacion mbi personat që kishin goditur familjen e tij.
Ai shton se Klevis Allën nuk e kishte takuar asnjëherë, dhe gjatë kësaj periudhe Nuredini nuk dinte nëse ky kishte folur për ngjarjet apo jo. Pas vrasjes së vëllezërve Haxhia, Alibej u largua nga shtëpia dhe u drejtua në Prokurori, ku u thirr nga prokurori Ritvan Suka.
Alibej: Unë rrija në shtëpi, por vinin me takonin miq e shokë. Kanë ardhur edhe policë, si Leonard Palushi, Arjan Spahiu ka qenë në dijeni të planeve tona dhe më ka ndihmuar nga ana monetare. Arjan fliste edhe me “Fat Katnarin”, ky kishte informacion mbi personat që më goditën familjen.
Alibej: Foton e Besmir Haxhisë e kam nxjerrë nga sistemi TIMS, kisha investiguar për të se ai kishte marrë pjesë në 3 atentate ndaj familjarëve të mi, emrin e tij nuk e mbaj mend, ma ka thënë Nuredini apo e kisha mësuar më parë. Mesa di, lekët për vrasjen i ka ndarë Nuredini, më tha që i ka dhënë nga 35 mijë euro secilit.
Alibej: Klevis Allën se kam takuar asnjëherë. Në këtë periudhë Nuredini s’po e merrte vesh nëse ky kishte folur për atë apo jo. Pas vrasjes së vëllezërve Haxhia kam dalë nga shtëpia, kam shkuar në Prokurori, më ka thirrur prokurori Ritvan Suka, më pyeti në lidhje me gjërat që i kisha vënë në dispozicion. Edhe në Prokurori shkova me motor, si shpërndarës picash. Në atë kohë unë kisha për çështjen e Xhoni Rustas avokat Demir Çiftjan. Prokurorit i thashë prapë janë këta ekzekutorët. Prokurori kërkoi prej meje informacion pasi kishte ndodhur një plagosje në Elbasan, një Kei Piu.
Kujtojmë se për vrasjen e vëllezërve Haxhia ka dëshmuar Klevis Alla më 9 maj të 2023. Besmir e Viktor Haxhia u ekzekutuan pranë tregut të automjeteve në Shënvlash të Durrësit më 2 mars 2020. Alla ka treguar se ditën e ngjarjes është takuar me Nuredin Duminin i cili mbante në kokë një kapuç dhe bashkë me të ishte edhe një person tjetër të cilin dëshmitari thotë se nuk e njihte por dyshohet të ketë qenë Henrik Hoxha, i cili në dëshminë e tij e ka pranuar përfshirjen në krim. Para gjykatës, Alla pranoi se e ka telefonuar Besmir Haxhinë për tu takuar, dhe ai "nuk është vonuar shumë dhe ka ardhur tek tregu i Shënavlashit". Versus.al
Atentati ndaj vëllezërve Haxhia, Alibej: I dhashë Nuredinit një Toyota të vjedhur dhe 150 mijë euro! Doja të shikonte që kisha lekë

I penduari i Drejtësisë, Erion Alibej ka vijuar të zbardhë detaje të grupeve kriminale në vend. Ditën e sotme ai ka folur për vrasjen e Dorian Shkozës, krahut të djathtë të Talo Çelës.
Ishte pikërisht kjo lidhje e Shkozës me Çelën që e bënte Shkozën shënjestër të Alibejt aso kohe. Pas vrasjes së Shkozës për të cilin pagoi 100 mijë euro, Alibej rrëfen për bisedat me Nuredin Dumanin, edhe ky i penduar i drejtësisë. Në një dëshmi ekskluzive, Alibej tregon se kishte kontakte të drejtpërdrejta me Nuredinin dhe se ishte i përfshirë në dhënien e armëve dhe makinave për një plan që synonte vrasjen e Altin Ndocit dhe Besmir Haxhisë. Viktori Haxhia, sipas tij, ka qenë vetëm rastësisht në makinë dhe nuk ishte objektivi kryesor.
Alibej thotë se Nuredini kishte bashkëpunim me çunat e Fushë-Krujës por nuk identifikon dot. Një makinë Toyota, e vjedhur në Shijak dhe e blerë nga Alibej, iu dorëzua Nuredinit bashkë me armët që ai kërkonte, në Pazar të Rrogozhinës, në praninë e Klevis Allës. Pas kësaj, Nuredini kërkoi edhe 50 mijë euro, por Alibej i çoi 150 mijë për të siguruar besimin e tij.
“Me Nuredinin flisja për Talo Çelën, që pas vrasjes së Dorjan Shkozës do të bëhej i gjallë apo jo. Gjithashtu vijoja investigimin për Altin Ndocin; ky shkonte shpesh në Durrës te vëllezërit Haxhia. Klevis Alla kishte parë një ditë Talon te shtëpia e vëllezërve Haxhia, por Nuredini e mori me rezerva.
Nuredini është angazhu me qenë i përgatit me “çunat e Fushë-Krujës”, por emrat e tyre s’i dija. Në Sky ECC më shkruan Plarent Dervishi; kam pasur kontakt me të, ai kishte kodet “Barcelona” dhe “Gost”. Plarenti më tha: “M’bohet qejfi që e ke gjet Talo Çelën.” Unë u habita nga e dinte ky, pastaj u kujtova që Plarenti kishte shumë muhabet me Festim Qolin.
Kishim një makinë Toyota të vjedhur që e kisha blerë në Shijak, ja dhashë Nuredinit dhe armët që ai donte, ja dhashë te pazari i Rrogozhinës. Ishte me Klevis Allën kur e mori. Më pas, Nuredini kërkoi dhe 50 mijë euro; ja çova me një mikun tim dhe i çova 150 mijë për të vijuar. Këtë e bëra që edhe Nuredini të shikonte që unë kisha lekë dhe të kishte besim.”- dëshmoi Alibej.
Alibej rrëfen se i ka dhënë Nuredinit dy kallashnikovë dhe një pistoletë për vrasjen e vëllezërve Haxhia, si dhe makinën Toyota që përdorej në operacion. Plani sipas tij ishte që të ekzekutoheshin Altin Ndoci dhe Besmir Haxhia, ndërsa Viktori Haxhia nuk ishte objektivi.
“Kur pash lajmin në televizion për gjetjen e makinës Toyota të braktisur dhe shenjat e gjakut brenda, e pyeta Nuredinin pse ka shenja gjaku në makinë. Ai më tha që kanë qëlluar xhamat dhe njëri nga këmbët e ka lënduar nga copat e thyer,” rrëfen Alibej. Më vonë, “nipi” u arrestua dhe Nuredini dyshoi se ai kishte filluar të fliste, pas informacioneve që kishte marrë nga komshinjtë, përfshirë “Miri Pojes”, një mik i tij.
Sipas Alibejt, Viktori Haxhia ishte rastësisht aty dhe Altin Ndoci kishte zbritur në rrugë, prandaj ata nuk e kishin ditur që në makinë ishte Viktori dhe kishin menduar se ishte Altin Ndoci.
“Diskutoja me Nuredinin edhe për varrimin e vëllezërve Haxhia, sepse kishte mundësi që Altin Ndoci të ekzekutohej edhe gjatë ditës së varrimit. Unë isha për këtë, por nuk u bë sepse ai nuk shkoi në varrim,” shton ai.
Alibej tregon se i ka siguruar Nuredinit edhe veshje speciale, si ato të OFL-së dhe policisë, të blera nga një mik i tij në Kukës, Bujar Germizi. “Veshjet janë bërë në Kosovë, unë i mora në Kukës dhe ia dhashë Nuredinit,” thekson ai.
Pas vrasjes, ai mësoi se Talo Çela kishte qëndruar në shtëpinë e vëllezërve Haxhia. Ndërkohë, Nuredini ishte larguar me familjen në Spille dhe nuk dinte nëse po flitej për të, pasi policia i kishte shkuar në banesë, por ai ishte larguar. Alibej tregon se komunikonin vazhdimisht përmes platformës së koduar Sky ECC.
Më tha: “kemi gjuajtur me xhama mbyll dhe nga ciflat është lënduar në këmbë “Kusho”-ja”. Pastaj u shoqërua “nipi” në polici dhe Nuredini m’tha: “M’duket se ky po flet”! Dhe sa mora vesh e kishte marrë vesh nga komshinjtë, nga “Miri i Pojes” që Nuredini e kishte mik.
Makina Toyota ishte në pronësi të Alban Qerosit, i cili njihet si shok dhe ortak në narkotrafik me Endritin dhe jeton në Bruksel. “Në Sky ECC përdorja kodet ‘Lizz’ dhe ‘Kumi’, ndërsa në Enkro Chat përdorja ‘Noku’,” përfundon ai. Versus.al
Vrasja e Dorjan Shkozës/ Dëshmia e Alibej: Pagova 100 mijë euro! Armët i blinim te hoxha, nga 500 deri në 3500 euro

Zbardhen detaje tronditëse nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Erion Alibej, në lidhje me vrasjen e Dorjan Shkozës, ngjarje që ndodhi në vitin 2020 në Durrës, pak para shpërthimit të pandemisë.
Në dëshminë e tij, Alibej rrëfen se për eliminimin e Shkozës ka paguar 100 mijë euro. Sipas tij, armët për atentatet bliheshin te një hoxhë, ndërsa çmimet varionin nga 500 deri në 3500 euro për copë.
Erion Alibej: Për Dorjan Shkozën kam paguar 100 mijë euro, nga hoxha janë blerë disa armë, varionin çmimet nga 500–1000 deri në 3500 euro. Nuk e di fiks, se kontaktet me “hoxhën” i kishte Sander Baho. Me Nuredin Dumanin jam takuar pas vrasjes së vëllezërve Haxhia. Por me Nuredinin isha në kontakt të vazhdueshëm. Henrik Hoxhën s’e njihja, vetëm kam dëgjuar që kishte pseudonimin “Kusho” edhe “Nipi”, që i drejtohej Klevis Allës.







