Çfarë do të gjeni në brendësi
*Pas mbledhjes së grupit parlamentar që zgjati deri në orët e mbrëmjes, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije ndryshimet në kabinetin qeveritar duke emëruar si zëvendëse Albana Koçiun, pasi Belinda Balluku u pezullua me vendim të GJKKO. *Në 6 ministri u bënë ndryshime në drejtues, duke u vënë theksi tek largimi i Elisa Spiropalit nga ministria e Jashtme e cila do të drejtohet në vazhdim nga Ferit Hoxha, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB. Ermal Nufi do të jetë ministri i ri i Mbrojtjes duke zëvendësuar Pirro Vengun. Enea Karakaçi do të pasojë Ballukun në krye të ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Besfort Lamallari do të drejtojë ministrinë e Brendshme, Toni Gogu dikasterin e ‘Drejtësisë’, ndërsa Erjona Ismaili ministrinë për Marrëdhëniet me Parlamentin. *Për këto ndryshime, reagoi edhe kreu i PD, Sali Berisha i cili u shpreh se “Rama po përpiqet të shpëtojë lëkurën e tij”.
"Ne socialistët ia fusim njëri-tjetrit", Rama i ashpër me Spiropalin: Shani shokët në dyert e ambasadave
Mbledhja e grupit parlamentar të PS vijon që prej paradites së sotme me kryeministrin Edi Rama që u është drejtuar ligjvënësve dhe ministrave pas dyerve të mbyllura.
Sipas Newsbomb.al, pas vendimeve të befasishme për ndryshimet në qeveri, Rama u është drejtuar socialistëve me fjalë të ashpra.
"Ju shkoni në dyert e ambasadave dhe shani njëri-tjetrin. Kjo është e papranueshme! Ne duhet të jemi bashkë" ka qenë fraza që Edi Rama ka përsëritur në Pallatin e Brigadave, duke iu drejtuar kështu Elisa Spiropalit, e cila nga sot është jashtë kabinetit qeveritar.
"Ç'është kjo punë?! Ne socialistët ia fusim njëri-tjetrit", është shprehur më tej kryesocialisti, duke ju referuar edhe zhvillimeve në selitë diplomatike. Ndërsa deputetëve, Rama u është drejtuar duke iu thënë se do të jetë më pranë tyre për t’i dëgjuar më shumë. Versus.al
Nga juristi i njohur dhe zv.sekretari i kryeministrisë tek ish-ambasadori, cilët janë ministrat e rinj të qeverisë
Mes emërimeve të bëra nga kryeministri Edi Rama në disa ministri të qeverisë, bie në sy fakti se 4 prej tyre janë emra që nuk njihen në angazhimin politik.
Duke nisur nga ministri i ri i Mbrojtjes, Ermal Nufi i cili pavarësisht se ka mbajtur poste shumë të rëndësishme, nuk ka qenë i njohur për publikun e gjerë. Nufi konsiderohet si një ndër juristët më të spikatur i cili ka mbajtur më herët postin e drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres, këshilltarit ligjor në ministrinë e Energjitikës dhe Infrastrukturës si dhe të zv.sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave. Që prej vitit 2013, është licencuar si avokat nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ku ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatëve të Tiranës. Nga viti 2021 z. Nufi ka mbajtur pozicionin e këshilltarit ligjor të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ka shërbyer në pozicione të ndryshme brenda administratës publike shqiptare. Me vendim të Këshillit të Ministrave, ai është emëruar kryetar i Bordit Menaxhues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Erjona Ismaili është emëruar ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin duke zëvendësuar Toni Gogun. Ajo u zgjodh deputete në qarkun e Vlorës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ismaili u bë e njohur për paraqitjen në podkastin e Ramës ku tregoi sesi ishte njohur me kryeministrin pas një sherri në telefon.
Ministër i ri i Infrastrukturës dhe Energjitikës është emëruar Enea Karakaçi duke zëvendësuar Belinda Ballukun. Karakaçi ka mbajtur më herët pozicionin e Drejtorit të Përgjithshmëm për Politikat dhe Zhvillimin e Energjisë dhe Industrisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Formimi i tij është ligji për çështje energjie. Karakaçi i mori përvojat e para në Entin Rregullator të Energjisë, i cili është një autoritet i pavarur rregullator për sektorin energjitik shqiptar.
Në krye të dikasterit të diplomacisë si ministër i Jashtëm u emërua Ferit Hoxha, i cili zëvendëson Elisa Spiropalin.Hoxha ka mbajtur së fundmi postin e ish-ambasadorit të Shqipërisë në OKB. Ai u bashkua me Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë në vitin 1991 dhe ka qenë aktiv në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare që atëherë. Nga viti 1991 deri në vitin 1995, ai mbuloi marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në vitin 1995, shërbeu si Këshilltar në Misionin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork. Nga viti 1996 deri në vitin 1998, ai mbajti pozitat e Drejtorit të Marrëdhënieve Multilaterale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në vitin 1998 dhe 2001, shërbeu si Ambasador i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Ambasador i Shqipërisë në Belgjikë dhe jo-rezident në Luksemburg. Nga viti 2001 deri në vitin 2006, ai ishte Ambasador i Shqipërisë në Francë, përfshirë edhe jo-rezident në Portugali, Algjeri dhe Monaco. Ndërmjet vitit 2006 dhe 2009, ai mbajti pozitat e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, pozita më e lartë e shërbimit civil. Gjatë kësaj periudhe, ai shërbeu gjithashtu si Koordinator Kombëtar për Aleancën e Civilizimeve dhe ishte Guvernatori i Shqipërisë në Bordin e Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) (2007 – 2008). Versus.al
Pak muaj pas nisjes së mandatit të 4, Rama shkarkon Spiropalin e Vengun! Zëvendësohen nga ish-ambasadori dhe këshilltari
Në shtator kryeministri Edi Rama shpallte emrat e qeverisë së re pas mandatit të katërt të PS të siguruar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Mes tyre ishte edhe Pirro Vengu i cili rikonfirmohej si ministër i Mbrojtjes pasi ishte emëruar fillimisht në 2024-ën duke pasuar Niko Peleshin.
Në vendin e tij si ministër Mbrojtje, do të jetë Ermal Nufi i cili më herët ka mbajtur postin e këshilltarit në ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës.
Rrokada e Ramës në qeveri, ka ngjallur edhe paqartësi pasi mes të shkarkuarve është edhe Elisa Spiropali e cila nga shtatori mbante postin e ministres së Jashtme. Spiropali do të pasohet nga Ferit Hoxha i cili ka mbajtur më parë postin e ambasadorit të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Nuk dihen ende arsyet të cilat e kanë shtyrë Ramën që përveç emërimit të zëvendëses së tij pas pezullimit të Ballukut nga gjykata, të bënte edhe këto ndryshime në qeveri edhe me emra që nuk kanë një profil politik publik. Versus.al
Rama bën "rrokadë" në qeveri, emëron Koçiun si zëvendëse dhe ndryshon drejtuesit në 6 ministri (EMRAT)

Kryeministri Edi Rama ka bërë një riformatim të qeverisë të mandatit të katërt pas mbledhjes që pati sot me grupin parlamentar të PS.
Duke qenë se Belinda Balluku është e pezulluar me vendim të GJKKO, Rama emëroi si zëvendës kryeministre të re, Albana Koçiun.
Postin e lënë bosh nga kjo e fundit, ia besoi Besfort Lamallarit i cili tashmë do drejtojë dikasterin e Brendshëm. Ndërsa Toni Gogu do jetë ministri i ri i Drejtësisë.
Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës është emëruar, Enea Karakaçi, personazh i panjohur në politikë. Ndërsa Erjona Ismaili është emëruar ministre e Marrëdhënieve me Parlamentin.
Bie në sy fakti se Rama ka hequr nga kabineti qeveritar Elisa Spiropalin dhe Pirro Vengun. Duke ia besuar ministrinë e Jashtme, Ferit Hoxhës, ish-ambasadorit të Shqipërisë në OKB dhe ministrinë e Mbrojtjes, Ermal Nufit. Versus.al

