Çfarë do të gjeni në brendësi
*Seanca paraprake për kryebashkiakun e Tiranës e paracaktuar për t’u mbajtur sot, u shty për në datë 19 janar. Shkak u bë mungesa e Veliajt në seancë si dhe e avokatëve të tij mbrojtës. *Pas shtyrjes së seancës, pati një reagim nga ana e stafit të Veliajt ku pretendohej se furgoni i drejtorisë së Burgjeve i cili duhej të shoqëronte Veliajn për në GJKKO mbërriti me vonesë në orarin kur seanca kishte nisur. *Ky pretendim u hodh poshtë nga institucioni i drejtorisë së Burgjeve me anë të një reagimi publik ku bëhej me dije se furgoni kishte shkuar në paraburgimin e Durrësit sipas orarit të planifikuar, por Veliaj kishte refuzuar të dilte nga qelia.
Veliaj pretendoi se furgoni mbërriti vonë për ta çuar në GJKKO, drejtoria e Burgjeve: E pavërtetë!

Drejtoria e Burgjeve ka reaguar ndaj pretendimit të stafit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj sa i takon mungesës së këtij të fundit në seancën paraprake në GJKKO. Veliaj pretendoi se furgoni i drejtorisë së burgjeve kishte mbërritur me vonesë, ndërsa institucioni sqaron se furgoni ishte në burgun e Durrësit sipas orarit të parashikuar.
Më tej thuhet se ka qenë vetë Veliaj ai i cili ka refuzuar të dalë nga qelia duke pretenduar se furgoni ishte vonuar.
Reagimi i plotë:
Në lidhje me reagimin e bërë në media nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron se janë të pavërteta pretendimet lidhur me orarin e transferimit të shtetasit Erion Veliaj nga IEVP Durrës drejt Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Forcat e Policisë së Burgjeve, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kanë njoftuar në kohë shtetasin E.V. për përgatitjen dhe nisjen drejt seancës gjyqësore. Mjetet e Policisë së Burgjeve kanë qenë të pranishme në ambientet e IEVP-së në kohën e parashikuar. Në momentin e njoftimit, shtetasi E.V. ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i Policisë së Burgjeve ishte vonuar.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se për çdo vonesë apo ndryshim orari, kancelaria e gjykatës njoftohet zyrtarisht dhe se nga ana jonë nuk ka pasur asnjë pengesë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor. Versus.al
Seanca në GJKKO u shty, stafi i Veliajt: Kryebashkiaku priti 2 orë, por furgoni shkoi me vonesë

Stafi i kryebashkiakut Erion Veliaj ka reaguar pas shtyrjes së seancës paraprake ndaj tij në Gjykatën e Posaçme e cila ishte parashikuar të mbahej ditën e sotme. Në reagim thuhet se kryebashkiaku ka qenë në pritje që prej orës 07:00 të mëngjesit, por furgoni i shoqërimit ka mbërritur rreth orës 09:00 në Durrës, orar i njëjtë me nisjen e seancës gjyqësore.
Ndërsa ngrenë dyshime se mund të ketë qenë neglizhencë apo veprim i qëllimshëm, stafi i Veliajt shton më tej se edhe avokati i caktuar kryesisht prej GJKKO ndodhej jashtë shtetit dhe nuk ishte paraqitur në seancë. Sipas tyre, Veliaj kishte kërkuar të mrbohej vetë dhe t’i jepej dosja hetimore.
Seanca paraprake u shty për në datën 19 janar. Ndaj kryebashkiakut rëndojnë 13 akuza për kryerjen e 5 veprave penale. Versus.al
Shtyhet seanca paraprake ndaj Veliajt, shkak mungesa e kryebashkiakut

Seanca paraprake gjyqësore në Gjykatën e Posaçme në ngarkim të kryebashkiakut Erion Veliaj është shtyrë për në datën 19 janar. Shkak është bërë mungesa në gjyq e Veliajt i cili ishte paraqitur herët e fundit duke kërkuar që të njihej me aktet hetimore.
Një prej kërkesave të tij ishte edhe mosmbajtja në kafazin prej xhami gjatë kohës që zhvillohej seanca gjyqësore.
Së bashku me Veliajn, e pandehur është edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe 25 persona e kompani të cilat dyshohet se janë përfshirë në skemën e përvetësimit të të fondeve publike të ngritur nga kryebashkiaku i Tiranës. Versus.al

