Një ngjarje e rrallë ka ndodhur në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, ku ka lindur një dre me ngjyrë të zezë, një fenomen që po tërheq vëmendjen e specialistëve dhe vizitorëve.
Kjo ngjyrë e pazakontë është rezultat i një variacioni gjenetik të njohur si melanizëm, i cili shkakton një prodhim të shtuar të melaninës – pigmentit që përcakton ngjyrën e lëkurës, flokëve apo leshit te kafshët. Si pasojë, në vend të ngjyrës karakteristike të kafe të hapur të dreve, ky individ ka një pamje të errët dhe shumë të veçantë.
Melanizmi është një fenomen i rrallë në natyrë, dhe raste të tilla të dreve të zinj janë të rralla, sidomos në ambientet e kontrolluara si kopshtet zoologjike.
Ky fenomen, përveçse një kuriozitet vizual, është edhe një rast i vlefshëm për studime shkencore dhe edukative, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë që vizitojnë kopshtin. /Versus.al/







