Pas një periudhe të gjatë heshtjeje, këngëtarja e njohur Enca Haxhia ka folur për herë të parë publikisht mbi arrestimin e saj të bujshëm, pas zbulimit të disa vazo me bimë narkotike në ballkonin e shtëpisë së saj në Lundër, ngjarje që ndodhi para dy vitesh dhe bëri bujë në media.
E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, Enca tregoi pa dorashka se gjithçka nisi nga kurioziteti dhe dashuria për bimët.
“Për ta sqaruar… ishte një ditë që thashë ‘do ta bëj këtë për qejf’. Ishte komplet nga kurioziteti dhe dashuria ime për bimët. Ajo u rrit, unë e kuptova gabimin tim, dhe kjo çështje ka marrë fund. Zura mend,” – tha këngëtarja me sinqeritet, duke lënë të kuptohet se për të është një kapitull i mbyllur.
Por Enca nuk ndalet me kaq. E pyetur për përdorimin e kanabisit, ajo e pranoi hapur se konsumon vetëm kur ndodhet në shtete ku është i ligjshëm – si SHBA.
“Është një temë pak sensitive për t’u diskutuar në Shqipëri… por unë e konsumoj sa herë jam në shtetet që e lejojnë. Një shoku im thotë: ‘Zoti e ka sjellë në tokë, kush jam unë ta disrespektoj Zotin e të mos e pi atë’,” – u shpreh Enca me stilin e saj të njohur provokues.
Deklaratat e saj kanë ndezur rrjetet sociale dhe mediat rozë, teksa fansat ndahen mes mbështetjes dhe kritikës. Një gjë është e sigurt: Enca di gjithmonë si të jetë në qendër të vëmendjes.







