MAGAZINË /

Flick akuzohet për standarte të dyfishta me Lamine Yamalin

Shkruar nga Versus

Flick akuzohet për standarte të dyfishta me Lamine Yamalin

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, kaloi të premten duke sqaruar situatën pas raportimeve se Lamine Yamal dhe Marcus Rashford po trajtoheshin ndryshe.

Hierarkia e klubit u akuzua se kishte detyruar Flickun të aktivizonte Yamal ndaj PSG-së më herët këtë muaj, pavarësisht se talenti mbërriti vonë në një takim ekipor.

Rashford ishte përjashtuar nga formacioni titullar ndaj Getafes në shtator për të njëjtën shkelje, duke ngritur dyshime për “standarde të dyfishta”.

Megjithatë, Flicku reagoi fuqishëm, duke mohuar thashethemet dhe duke theksuar se ka kontroll të plotë mbi situatën.


“Do doja të dija nga vjen ky thashethem. Është e pavërtetë. Nuk është e vërtetë,” tha ai për gazetarët.

“Në këtë klub, me Deco dhe profesionistët e tjerë, kam një marrëdhënie të vërtetë. Besoj në punën time. Kam besimin e tyre, dhe ata nuk do të na kërkonin diçka të tillë. Kjo është budallallëk. Kush e tha, gënjeu”, tha ai.

Flick po përpiqet të rikthejë ekuilibrin pas një periudhe të vështirë këtë muaj, që përfshiu humbjen 2-1 ndaj PSG-së në Ligën e Kampionëve dhe turpërimin 4-1 nga Sevilla në La Liga.

Barcelona mbetet e dyta në renditjen e La Ligës, vetëm dy pikë pas Real Madridit të Xabi Alonsos, që ka marrë 21 pikë nga 24 të mundshme.

Yamal, i dyti në Topin e Artë, ka pasur probleme të disponueshmërisë këtë sezon për shkak të një dëmtimi në ijë, por ka qenë efektiv në pesë ndeshjet që ka luajtur, duke shënuar dy gola dhe dhënë katër asistime.

Ndërkohë, Rashford ka nisur sezonin me ritëm të lartë, duke shënuar tre gola dhe dhënë pesë asistime në 10 paraqitjet e tij të para.

Ai u kritikua për vonesë në një takim ekipor muajin e kaluar, por drejtori sportiv, Deco, ka insistuar se janë “të kënaqur” me përparimin e tij.

“Është një huazim i thjeshtë, nuk ka ndëshkim, dhe nëse e duam, kemi një opsion për ta blerë,” tha Deco për “Mundo Deportivo” muajin e kaluar.

“Nuk është koha për të folur për vendime për sezonin e ardhshëm, por ajo që ka rëndësi është se jemi të kënaqur me të. Ajo që mendonim se mund të na jepte, po na jep. Ai është një lojtar shumë i nivelit të lartë. Ka shpërthyer shumë herët, pastaj pati sezone të mira te United, pastaj vite më të komplikuara me ndryshime trajnerësh, dhe ndoshta kishte vështirësi sepse kërkohej shumë prej tij atje. Por jemi të kënaqur – kjo është më e rëndësishmja. Këto nuk janë vendime për tani. Tani është koha të përqendrohemi te ndeshjet që vijnë”, tha Deco.

Barcelona vendosi të afrohej për Rashford pas humbjes së mundësisë për Luis Diaz, i cili përfundimisht iu bashkua Bayern Munichut nga Liverpooli për 65 milionë paund.

Rashford besohet të ketë sakrifikuar 15% të pagës së tij javore prej £315,000 për të realizuar transferimin e ëndrrës te Barca.

Klubi ka një klauzolë opsioni blerjeje, e raportuar të jetë rreth £27 milionë.

Poll