Një në një milion" mund të tingëllojë si kompliment, por në rastin e një karavidheje jashtëzakonisht të rrallë që mbërriti në kuzhinën e një restoranti në Rhode Island, SHBA , të qenit "një në 30 milionë" rezultoi të ishte një shpëtimtare.
Sipas The Guardian, karavidhja në fjalë, e quajtur Calvin, u dërgua së bashku me të tjera në restorantin Nordic Lodge, ku do të përfundonte e gatuar në pjatat e klientëve. Por një shef kuzhine në restorant vuri re diçka të pazakontë: një karavidhe kishte ngjyrë të verdhë të artë.
Siç shpjegoi menaxheri i restorantit, Jake Dolby, punonjësi vuri re një mutacion të rrallë gjenetik që ndodh vetëm në një karavidhe në 30 milionë. Ky mutacion parandalon shfaqjen e të gjitha pigmenteve të zakonshme, përveç një nuance të verdhë të artë, e cila i jep karavidhes pamjen e saj unike. Ky është një variant edhe më i rrallë se karavidhja "blu", e cila ndodh në rreth një në 2 milionë.
Menaxhmenti i restorantit kontaktoi menjëherë Qendrën e Kërkimeve Detare, duke dashur të dhuronte karavidhen. Brenda një ore, punonjësit e restorantit e transportuan Calvinin drejt Qendres.
Kreu i Qendrës, Mark Hall, vuri në dukje se duhet një sy shumë i kujdesshëm për të dalluar një karavidhe vërtet të artë, pasi ato shpesh ngatërrohen me të tjera që kanë një nuancë më të errët portokalli. Ai shpjegoi gjithashtu se nëse Calvin do të ishte gatuar, ai do të kishte përfunduar me të njëjtën ngjyrë të kuqe si çdo karavidhe - pasi, gjatë zierjes, të gjitha pigmentet përveç të kuqes shkatërrohen.







