I jepet lamtumira e fundit njërit prej fotoreporterëve ikonë në Kosovë. Alban Bujari u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme. Bujari ishte ndër fotoreporterët e parë i cili ka dokumentuar ngjarjet e periudhës së luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-99.
Ai ka nisur karrierën në të përditshmen “Koha Ditore” në vitin 1997, duke u bërë pjesë e grupit të fotoreporterëve kosovarë të cilët kanë përcjellë zhvillimet politike dhe sociale të fundviteve të ‘90-ta.
“Ndër fotografitë më të dalluara janë ato të masakrimit të familjes Jashari në Prekaz më 1998, masakrën e Reçakut më 1999, masakrën e shqiptarëve në Rogovë më 1999. Dhe, pos tjerash edhe faktimin e transformimit të UÇK-së në TMK, e deri në FSK-në profesionale me synim në NATO.”
Fotografitë e Bujarit u publikuan në mediat ndërkombëtare, si: “Time”, “Sunday Time”, “The Independent”, “The Guardian”, “El Pais”, “Fokus”, “Suddeutche”, “Zeitung”, “Kyoto News”.
Më 30.12.2024, kishte hapur ekspozitën “Evolucioni”, ku përmes fotografive prezantohet transformimi i Ushtrisë së Kosovës, nga UÇK-ja në TMK dhe nga TMK-ja në FSK, me synim NATO-n. Përmes 35 fotografive të ekspozuara, ai kishte paraqitur mobilizimin për çlirimin e vendit dhe rrugëtimin deri te themelimi i Ushtrisë.
"Alban Bujari nuk ishte thjesht një fotograf, ai ishte një rrëfimtar, një dëshmitar i historisë së Kosovës. Fotografite e tij nga Lufta e Kosovës kapën si tmerret, ashtu edhe qëndresën e një populli që refuzoi të heshte. Puna e tij bëri që bota të mos harrojë kurrë çfarë ndodhi në Kosovë." - shkruan në një mesazh të ndjerë të bërë publik në rrjetin social Facebook gazetarja Arbana Xharra.
"Tash krejt munden me pa, ata që e pashë unë"- thoshte në të gjallë Alban Bujari.
Fjalën e kishte për fëmijët e vrarë, gra, burra e të moshuar të masakruar në mënyrën më mizore, krimet e pushtetit të atëhershëm të Serbisë në vitet e 90'ta në Kosovë. Albani i pa të gjitha, por edhe i dokumentoj përmes fotografisë.








