MAGAZINË /

Michelle Mone: Historia e milioneres britanike që u bë protagoniste e një skandali kombëtar

Milionerja britanike, e cila ndërtoi biznesin e saj dhe revolucionarizoi të brendshmet e grave, është bërë subjekt i një skandali kombëtar që duket se e ka shkatërruar përgjithmonë.

Shkruar nga Versus
Michelle Mone: Historia e milioneres britanike që u bë protagoniste e
Michelle Mon në lançimin e koleksionit të ri të markës së saj në Debenhams në Liverpool (2025)

Moda në Britani në fund të viteve 1990 po zbulonte një emër të ri: Ultimo . Kompania e të brendshmeve, e themeluar nga Michelle Mon nga Glasgou, po mbushte vitrinat e dyqaneve.

Sekreti nuk ishte vetëm produkti -reçipeta push-up që premtonte të ndryshonte përvojën e grave por edhe zgjedhja e imazhit që do ta lançonte. 

Penny Lancaster , e gjatë, bjonde, joshëse, ende partnerja e yllit të rokut Rod Stewart në atë kohë, u bë imazhi i markës.

Michelle Mone: Historia e milioneres britanike që u bë protagoniste e
Penny Lancaster (majtas) dhe Michelle Mon në një aktivitet promovues për Ultimo (2003)

Fotot e saj me të brendshmet e Ultimo pushtuan billboard-et, revistat dhe katalogët. Për Lancaster ishte një shtysë e madhe në karrierë, ndërsa për Mon, një biletë për ta bërë markën të spikaste në një industri ku vëmendja ishte pasuria më e çmuar. Të dyja e nisën historinë si mike, të bashkuara nga dëshira për të lënë gjurmë, por shumë shpejt bashkëpunimi i tyre do të kthehej në një skandal publik.

Michelle Mone: Historia e milioneres britanike që u bë protagoniste e
Me Dukeshën e atëhershme Camilla në një pritje për fondacionin e Princit të atëhershëm Charles në Kështjellën e Edinburgut (2005)

Mon kishte gjithmonë sytë nga hapi i radhës. Në fund të viteve ’90 ajo gjykoi se Ultimo kishte nevojë për një fytyrë me famë ndërkombëtare për të kaluar në një nivel tjetër. Kështu vendosi të zëvendësonte Penny Lancaster me Rachel Hunter, supermodele me emër botëror. Ky veprim shkaktoi furtunë: Lancaster u ndje e tradhtuar, mediat nuhatën dramë dhe tabloidet e pagëzuan historinë si “Bra Wars”. Ultimo u rikthye sërish në faqet e para, por tashmë emri i Michelle Mone lidhej me intriga dhe sensacionalizëm. Vetë ajo e dinte mirë se publiciteti – edhe kur ishte negativ – mund të ushqente fuqishëm markën. Ky mësim do të rezultonte vendimtar edhe për kapitujt e ardhshëm të jetës së saj.

Michelle Mone: Historia e milioneres britanike që u bë protagoniste e
Në hapjen zyrtare të Parlamentit në Pallatin e Westminsterit (2019)

Pas shkëlqimit të pasarelave fshihej një histori që magjepste gazetarët: vajza nga Glasgou që ia doli mbanë. Mon ishte rritur në një shtëpi pa banjë, në një familje të klasës punëtore. Në moshën 15-vjeçare braktisi shkollën, punoi si modele dhe më vonë në kompani marketingu. Ultimo ishte ideja e saj e madhe. Me dizajn inteligjent, kohëzgjidhje të duhur dhe një aftësi të veçantë për të krijuar bujë rreth markës, Mon u bë një simbol i sipërmarrjes. Në vitin 2010 u nderua me OBE për kontributin e saj në industrinë e modës.

Pesë vite më vonë, qeveria Cameron i dha titullin Baroneshë Mon e Mayfair-it dhe një vend në Dhomën e Lordëve. Ngjitja e saj dukej përrallore: nga lagjet e varfra të Skocisë në sallonet e pushtetit britanik. Por edhe në kohët e suksesit, ekzistonin zëra që flisnin për një rrëfim jo edhe aq transparent. Bashkëpunëtorë e akuzonin se e kishte ekzagjeruar rolin e saj si shpikëse e reçipetave. Ndërkohë, mosmarrëveshjet për financat e kompanisë përfunduan në gjykata.

Michelle Mone: Historia e milioneres britanike që u bë protagoniste e

Në Dhomën e Lordëve prania e saj ishte e kufizuar dhe fjalimet e saj numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Për kritikët, hyrja e saj aty ishte më shumë simbolike: një histori suksesi që shërbente për imazhin e qeverisë. Megjithatë, Mon dinte si të mbante gjallë markën e saj dhe të ruante shkëlqimin. Deri sa pandemia përmbysi gjithçka.

Në vitin 2020, me Britaninë në dëshpërim për shkak të COVID-19, qeveria ngriti një mekanizëm të quajtur “VIP lane” për furnizimin me pajisje mjekësore. Mes kompanive që përfituan ishte edhe PPE Medpro, një sipërmarrje e sapokrijuar, e cila brenda pak javësh siguroi kontrata mbi 200 milionë paund.

Mon mohoi çdo përfshirje. Por zbulimet e Guardian dhe BBC treguan se ajo kishte promovuar kompaninë tek ministrat madje edhe përpara se të themelohej. Email-et zbuluan se ajo merrte pjesë në diskutime për kontratat. Së shpejti u bë e qartë se truste familjare të lidhura me të dhe me bashkëshortin e saj, Doug Barrowman, kishin përfituar dhjetëra miliona paund nga fitimet: ndërsa spitalet luftonin me mungesa të pajisjeve, familja Mon përfitonte nga kriza.

Michelle Mone: Historia e milioneres britanike që u bë protagoniste e
Penny Lancaster pozon për koleksionin e rrobave të banjës të Ultimo (2003)

Në dhjetor të vitit 2023, Mon u shfaq në BBC përballë Laura Kuenssberg. Për herë të parë ajo pranoi se kishte gënjyer lidhur me përfshirjen e saj në PPE Medpro. “Nuk ishte krim të gënjeja”, tha me zë të qetë. Kjo frazë u bë virale, duke shkaktuar stuhi reagimesh. Për shumëkënd ishte rrëfimi më i hapur i cinizmit nga një figurë politike. Për të tjerë, një përpjekje e dëshpëruar për të mbrojtur veten dhe bashkëshortin e saj.

Në çdo rast, dëmi në imazhin e saj ishte i pariparueshëm. Ndërsa qeveria kërkonte 122 milionë paund dëmshpërblim dhe Agjencia Kombëtare e Krimeve ngrinte pasuritë e saj, gazetat mbusheshin me foto të Mon dhe Doug Barrowman duke pushuar në një superjaht në Majorka. Aktivistët ngjitën mbi anije një pankartë gjigante me shkrimin “Pandemic Profiteer” dhe imazhi u shpërnda në mbarë botën.

Sot, Michelle Mon mbetet formalisht anëtare e Dhomës së Lordëve, por statusi i saj është shuar. Hetimet vijojnë, qeveria kërkon shuma të mëdha si kompensim dhe ajo vetë deklaron se dëshiron të “pastrojë emrin e saj”. Historia e saj, që nisi me Penny Lancaster dhe fushatat e sytjenave push-up të Ultimo, është kthyer në dokumentar të BBC-së (“The Rise and Fall of Michelle Mone”) dhe mbi të gjitha në simbol të një skandali politik e moral. Nga përralla e një gruaje si sipërmarrëse ka mbetur vetëm një mësim i ashpër: imazhi mund të të ngrejë në majë, por vetëm ligjshmëria mund të të mbajë aty./Versus.al

 

Poll