AKTUALITET /

Skandali në Gramsh: 70 fëmijë të helmuar nga ushqimet e ‘Nelsa shpk’, kompania e kontratave milionëshe në kopshte, spitale dhe burgje

Një nga pistat kryesore të hetimit është kompania kateringu “Nelsa shpk”, e cila ka fituar tenderin për furnizimin me ushqim të kopshteve dhe çerdheve në bashkinë Gramsh që prej qershorit 2023.

Shkruar nga Versus
Skandali në Gramsh: 70 fëmijë të helmuar nga ushqimet e
Foto montazh: kopsht, salmone, analiza e femijeve të helmuar me salmonelë


Rreth 70 fëmijë nga një kopsht publik në qytetin e Gramshit u shtruan në spital në fillim të kësaj jave, duke paraqitur simptoma të rënda helmimi si të vjella, temperaturë dhe dhimbje barku. Autoritetet shëndetësore dyshojnë se shkak i helmimit është bakteria salmonela, ndërsa analizat laboratorike vazhdojnë për të përcaktuar burimin dhe shkallën e kontaminimit.

Nga hetimet e para, autoritetet kanë marrë mostra nga ushqimet e shërbyera në kopsht, uji dhe ambientet e kuzhinës. Një nga pistat kryesore të hetimit është kompania kateringu “Nelsa shpk”, e cila ka fituar tenderin për furnizimin me ushqim të kopshteve dhe çerdheve në bashkinë Gramsh që prej qershorit 2023.

Kontrata me këtë kompani është e vlefshme për 24 muaj dhe parashikon furnizimin e përditshëm të qendrave arsimore të fëmijëve, përfshirë edhe konviktin e shkollës së mesme, me produkte ushqimore të standardeve të larta.

“Nelsa shpk” ka një histori të gjatë pjesëmarrjeje në tenderë publikë, jo vetëm në Gramsh, por edhe në qytete të tjera dhe institucione shtetërore në Tiranë.

Përveç kopshteve dhe çerdheve, kompania furnizon edhe spitalet dhe burgjet.

Shumë nga këto tenderë kanë marrë sinjale paralajmëruese në sistemin e prokurimeve publike për mungesë transparence, konkurrencë të dobët ose dyshime për parregullsi.

Sipas të dhënave zyrtare, kompania është aktualisht në pronësi të Elsa Kamberit (Balla), ndërsa themelues dhe pronar fillestar është babai i saj, Nexhmi Balla, i njohur në sistemin e drejtësisë shqiptare.

Në vitin 2016, Nexhmi Balla u arrestua së bashku me disa biznesmenë dhe zyrtarë të lartë të burgjeve për një skandal të madh korrupsioni që përfshinte manipulimin e tenderëve për ushqimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Bashkë me të u arrestuan edhe biznesmenët Ylber Kalaja dhe Shemsi Sinani, si dhe drejtori i përgjithshëm i burgjeve në atë kohë, Artur Zoto, dhe zëvendësi i tij Iljaz Labi. Kompanitë e tyre ndanin tenderë me vlera të mëdha përmes skemave korruptive.

Pas këtij skandali, për të ruajtur aktivitetin dhe kontratat publike, Nexhmi Balla i kaloi pronësinë dhe menaxhimin e kompanisë vajzës së tij, Elsa Kamberi, një praktikë e njohur në botën e biznesit që lidhet me korrupsionin, me qëllim shmangien e penaliteteve ligjore./Versus.al

Poll