
Christopher Lacivita, njëri prej dy drejtuesve të fushatës elektorale të Donald Trump në SHBA, u prezantua në shkurt të këtij viti nga Sali Berisha me bujë të madhe si personi të cilit i kishte besuar strategjinë e PD për të fituar në zgjedhjet e 11 majit.
Ardhja e tij, ekzaltoi demokratët të cilët e konsideruan këtë si një mbështetje nga SHBA-të, pavarësisht se vetë Lacivita tha se nuk përfaqëson asnjë autoritet shtetëror. Madje edhe pati aludime mes demokratëve se angazhimi i Lacivitas, do të sillte edhe heqjen e non-gratas.
Por duke qenë një prej strategëve më të lartë elektoralë, Lacivita sigurisht që do të kishte kërkuar një shumë të majme për angazhimin e tij 1 mujor në fushatën e PD. Lidhur me këtë pjesë nuk ka patur një transparencë nga ana e PD, edhe pse Berisha premtoi se kontrata me Lacivitan, do të bëhej publike pas zgjedhjeve me të gjitha burimet e shumës që demokratët do t’ja paguajnë.
Pikërisht për këtë pjesë pati një tjetër zhvillim të vrullshëm në media e politikë pas publikimit të një kontrate mes PD dhe një kompanie lobimi pranë Trump në SHBA që shifër përfundimtare kishte shumën prej 6 milionë dollarësh.
Garanti i kontratës
Në reagimin e bërë nga PD pretendohej se kontrata nuk është firmosur nga selia e partisë, por nga “Make Albania Great Again”, një organizatë e krijuar nga komuniteti shqiptaro-amerikan, me synim forcimin e marrëdhënieve mes PD-së dhe institucioneve amerikane. Garant për pagesën e kësaj kontrate, ka dalë Nuredin Seci nga Tropoja i cili prej vitesh jeton në SHBA.
Zbardhja e kontratës para zgjedhjeve shtoi edhe më shumë dyshimet nëse Chris Lacivita kishte adhur për të drejtuar fushatën e PD dhe për të fituar zgjedhjet e 11 majit pas 12 vitesh në opozitë. Shifra ‘marramendëse’ prej 6 milionë dollarësh ngriti shpresat tek demokratët se ‘mrekullia’ do të ndodhte. Në fakt kontrata e kishte të shkruar qartë objektivin “Forcimin e marrëdhënieve mes PD-së dhe institucioneve amerikane.
Por siç pritej nga të gjithë përveç votuesve besnikë dhe mbështetësve të Berishës, koalicioni i udhëhequr prej këtij të fundit humbi katastrofisht zgjedhjet duke lënë në pushtet Edi Ramën më të fortë se kurrë me plot 83 mandate deputetësh në Kuvend.
Pavarësisht humbjes record, Berisha duket shumë i qetë edhe me një proces gjyqësor përpara. I pyetur nëse ka komunikuar me Lacivitan në 72 orët e fundit, Berisha u shpreh: Këto janë çështje private.
Në një dëshpërim të thellë, demokratëve tashmë iu duhet vetëm të presin dhe 4 vite, ndërsa ende nuk e kanë kuptuar: 'Shpëtimtari' i tyre erdhi për tu dhënë fitoren apo për punët personale të Sali Berishës?! Versus.al