POLITIKË /

“24 orë në magjinë e bjeshkëve të Istogut”, Berisha bën pak pushim nga konferencat: Udhëtim në rininë time

Shkruar nga Versus

“24 orë në magjinë e bjeshkëve të Istogut”,

Kryedemokrati Sali Berisha duket se ka marrë pak kohë pushim nga konferencat e përditshme për shtyp përpara se të nisë sesioni i ri parlamentar në vend. Së fundmi ai është parë në bjeshkët e Istogut në Kosovë ku është ftuar për ditëlindjen e Gani Dreshajt, emigrantit shqiptar nga Gjermania.

Pranë tij shihet edhe ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ish-zyrtarë të Komisionit Europian si Peter Beyer dhe Elmar Brok. Lidhur me këtë udhëtim, edhe Berisha ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale ku shprehet se përgjatë 24 orëve të fundit, ishte ndjerë si në një udhëtim në rininë e tij.

Postimi i plotë i Berishës:

24 orë në magjinë e bjeshkëve të Istogut

Miq, 24 orët që kaluan ishin një udhëtim në rininë time.

Në Istog shkova i ftuar nga një mik i imi, Gani Dreshaj, politikan dhe biznesmen i Kosovës, ish-luftëtar i lirisë, për të marrë pjesë në festën e 60-vjetorit të lindjes së tij.

Pas një ndalese të shkurtër dhe takimit me miqtë e përbashkët gjermanë ,deputetin e Bundestagut Peter Beyer, politikanin e shquar Elmar Brock, ish-komandantin e KFOR-it në Kosovë gjeneralin Bühler, si dhe gazetarë e biznesmenë gjermanë, u nisëm për në zemër të bjeshkëve të Istogut, në Lugun e Butë.

Në mesin e një bredhishtë madhështore ndodhej shtëpia e Ganiut, në oborrin e së cilës u organizua festa. Në rrethimin e shtëpisë ngrihej një muranë në kujtim të gjyshit të tij, mjekut Syl Dreshaj, gjyshes dhe xhaxhait të ekzekutuar nga ushtria serbe gjatë bombardimeve të NATO-s.

Në Lugun e Butë na pritën me shumë përzemërsi i ati i Ganiut, bashkëshortja, vëllezërit, motrat, fëmijët dhe rrethi i tyre familjar. Familja Dreshaj është një familje e madhe atdhetare me kontribute të veçanta në të gjitha kohërat e luftërave për liri. Në këtë traditë, të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, edhe në luftën e fundit, në radhët e UÇK-së, firmosën me trimërinë dhe gjakun e tyre lirinë që gëzojmë sot në Kosovën e pavarur.

Darka ishte vërtet magjepsëse, jo vetëm për vendin, logun e zanave ku shtrohej, por edhe për atmosferën festive të miqve e të ftuarve, këngët e artistëve dhe shërbimin e përkryer. Ishte një mbrëmje frymëzuese dhe mund të shkruaja gjatë për të, por po e mbyll duke i uruar edhe një herë Ganiut edhe 120 vite të tjera plot shëndet, gëzim dhe suksese me më të dashurit e tij. Versus.al

Poll