
Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Prishtinë në kuadër të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, ka marrë pjesë sot në konferencën “Rugova dhe Perëndimi”.
Ai e cilësoi presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën si “gjeni” i cili pritej në zyrat më të rëndësishme të botës asokohe ku parashtronte problemin e shqiptarëve të Kosovës të cilët vuanin nga pushtuesit serbë.
Ndërsa theksoi më tej se pa luftën që Ibrahim Rugova kishte bërë nëpërmjet diplomacisë së tij, nuk do të kishte pasur Ushtri Çlirimtare të Kosovës.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Në 24 maj në 1992 të ashtuquajturat zgjedhje, ai u vetëshpall president i Kosovës për herë të parë. Pati guximin e gjeniut për të mos u vrarë. Ibrahim Rugovën pothuajse të gjithë e nënvlerësuan. Nuk besoj se ndonjë në ato fillime e kuptoi vërtetë atë që as ai vetë nuk e shihte si rrugë me dalje të sigurtë.
Forcën këmbëngulëse të ujit që gërryen gurin pa ngut, pa përplasje pa zhurmë duke ulur si gandi përballë kohës me një besim të verbër te aleanca me kohën. Presidenti i shpresës në mes të shtypjes së çdo shpresave kishte jetuar mes librave në rrethanave tejet të rënda për Kosovën ku pasioni për dijen e shkruar iu bë trualli ku iu zhvillua mirësia e intelektualit shpresëdhënës të popullit të vetë.
Në vitet ’90 ai themeloi LDK dhe ulet në kolltukun e arsyes brenda një kinemaje urrejtje. Një president pa pallat dhe pa komb që falë personalitetit të tij pritej në shtëpinë e bardhë, pritej në Londër, në Romë, në audiencë nga Papa Gjon Pali duke zgjeruar si një përrua shtratin e vetë dhe vëmendjen ndërkombëtare ndaj çështjes së Kosovës. Koka e tij që e mbante lart kur fliste me ta rrinte ulur këtu në Kosovë dhe gjuha e tij predikonte vetëm durim. Udhëheqja e Rugovës pati një aftësi shumë të rrallë për ta lidhur fatin e vendit të tij të panjohur me fatin e botës demokratike. Duke e kthyer në kapital çdo hap të gabuar të armiqve duke i dhënë Kosovës pasurinë e patundshme të miqve ndërkombëtarë.
Pa Ibrahim Rugovën nuk do kishte pasur kurrë UÇK. Sepse pa luftën që ai fitoi në paqe nuk do ishte arritur kurrë paqja e fituar me luftë. Versus.al







