Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thënë se Serbia po vazhdon përpjekjet për sabotimin e konsolidimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.
Ai në një postim në Facebook, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ua ka dhënë në dispozicion burimet dhe mjetet shtetërore Listës Serbe dhe kryeterroristit Milan Radoiçiç, ndërsa janë duke u shënjestruar disa deputetë të pakicave joserbe.
Kurti ka thënë se institucionet e sigurisë kanë informacione të konfirmuara lidhur me këtë dhe kjo ishte ndër çështjet që u diskutua në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës të dielën.
"Pas ndërhyrjes në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Republikën e Kosovës, për çfarë kemi informuar në konferencë për media bashkë me ministrin Nenad Rashiq me datë 9 mars 2025, Serbia po vazhdon përpjekjet për sabotimin e konsolidimit të institucioneve të dala nga këto zgjedhje. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ua ka dhënë në dispozicion burimet dhe mjetet shtetërore për këtë Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, i cili në agresionin kriminal e terrorist të Banjskës, më 24 shtator 2023, ishte nënkryetar “de jure” i Listës Serbe, kurse tani është kryetar “de facto” i këtij subjekti politik. Në shënjestër janë disa deputetë të pakicave joserbe. Institucionet e sigurisë kanë informacion të konfirmuar lidhur me këtë, dhe kjo ishte njëra ndër çështjet që shqyrtuam në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës."
Këshilli i Sigurisë së Kosovës mbajti mbledhje këtë të dielë me kërkesë të kryeministrit, Albin Kurti.
U raportua dhe diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë siç thotë zyra e Qeverisë me theks te planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar të dielën se katër “pelegrinë” serbë janë arrestuar të shtunën në Gjakovë. Nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë.








