
Kandidati i PD-së në listën e mbyllur të Fierit, Luan Baçi, ka pranuar humbjen në zgjedhjet e 11 majit.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai u kërkon ndjesë demokratëve që votuan për PD-në, pasi sipas tij, puna nuk u bë si duhet.
“Mirënjohje, respekt dhe falënderim, me gjithë zemër, qindra mijëra demokratëve të thjeshtë, që nuk u tërhoqën kurrë, që nuk ndaluan asnjëherë së kontribuari, nuk kërkuan asgjë, asnjëherë, në këmbim të punës së tyre vetëmohuese!
Falënderim dhe mirënjohje, Haki dhe Haxhi, drejtues të Hamilit, NJ.V. Dërmenas, Fier. Faleminderit dhe mirënjohje çdo drejtuesi të të gjitha niveleve, çdo anëtari dhe mbështetësi të Partisë Demokratike Fier!
Shumë ndjesë, të dashur demokratë, që nuk mundëm të ngrihemi në nivelin e punës dhe performancës tuaj dhe ta bëjmë detyrën ashtu si edhe ju!”, shkruan Baçi.
Nga ana tjetër, drejtuesi politik i qarkut të Fierit, Gazment Bardhi i quajti këto zgjedhje si të manipuluara.
“Mirëmbrëma, jam shumë i lumtur që po ju shoh pas kaq shumë kohësh. Përveç mirënjohjes me zemër për 40 mijë qytetarët e qarkut të Fierit që, pavarësisht terrorit në të gjitha drejtimet, qëndruan dhe zgjodhën alternativën më të mirë për Shqipërinë, sonte nuk kam asnjë koment. Mirënjohje, dhe vetëm mirënjohje,” – deklaroi Bardhi ditën e djeshme për mediat.
Në qarkun e Elbasanit deri më tani janë numëruar 505 kuti votimi nga 508 në total, ku Partia Socialiste deri më tani ka siguruar 10, ndërsa Partia Demokratike, 4 mandate./Versus.al







