
Mëngjesin e sotëm, drejtuesi politik i PD në qarkun e Fierit, Gazment Bardhi publikoi një shkrim ku pretendonte se policia po përdorej nga qeveria për të intimiduar familjarët e kandidates për deputete Silva Hasaj në Fier.
Bardhi tha se metoda të tilla po përdoren për të frikësuar opozitën, ndërsa u bëri thirrje OSBE/ODIHR që të monitorojë nga afër sjelljen e policisë për të ndëshkuar përpjekjet që minojnë procesin zgjedhor.
“Dënoj me forcë çdo akt presioni dhe intimidimi që Policia e Shtetit, nën ndikimin e drejtpërdrejtë politik, ka ushtruar ndaj familjarëve të kandidates për deputete të PD, znj. Silva Hasaj. Këto veprime përfaqësojnë një përshkallëzim të rrezikshëm të përpjekjeve për të frikësuar qytetarët dhe për të deformuar vullnetin e lirë të tyre përmes shantazhit dhe dhunës institucionale.
Kjo është një shfaqje e qartë e kapjes së shtetit, ku organet e rendit, në vend që të jenë në shërbim të ligjit dhe qytetarëve, përdoren si instrumente të pushtetit për të goditur kundërshtarët politikë. Tentativa për të shkrirë bashkë Policinë e Shtetit, politikën dhe krimin e organizuar, është një rrezik serioz për demokracinë dhe stabilitetin e vendit.
Ky akt i përsëritur i përfshirjes së Policisë së Shtetit në këtë fushatë zgjedhore në qarkun Fier, garantoj se nuk do të mbeten pa pasoja. Edi Rama dhe Belinda Balluku, që i urdhërojnë dhe ata që i zbatojnë do të përballen me drejtësinë. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë përpjekje për të frikësuar opozitën nuk do të ketë sukses.
I bëjmë thirrje OSBE/ODIHR dhe çdo institucioni ndërkombëtar të monitorojë nga afër sjelljen e Policisë së Shtetit në zgjedhje dhe çdo përpjekje për të minuar standardet demokratike në një proces zgjedhor”- shkruan Bardhi.
Nuk vonoi as përgjigjia nga drejtoria vendore e policisë së Fierit ku thuhet se Agim Hasaj, xhaxhai i kandidates për deputete të PD, ishte kapur mbrëmjen e djeshme pas raportimeve se po kryente veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor. Gjatë kontrolleve iu gjet një bllok shënimesh për procesin zgjedhor. Pasi iu mor deklarimi, policia njofton se 59 vjeçari është lënë i lirë.
“Më datë 27.04.2025, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasi A. H., 59 vjeç, banues në Peshtan, kryente veprimtari të paligjshme në lidhje me procesin zgjedhor, shërbimet e Policisë, në orën 19:20, e kanë kontrolluar dhe më pas e kanë shoqëruar këtë shtetas në Komisariatin e Policisë Fier.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në automjetin me të cilin ai udhëtonte, u gjet një bllok me shënime në lidhje me procesin zgjedhor.
Shtetasit A. H. iu mor deklarimi dhe u la i lirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme hetimore.
Sqarojmë opinionin publik se në lidhje me statusin e publikuar nga drejtuesi politik i Partisë Demokratike, për qarkun Fier, z. G. B., në të cilin ai ka pretenduar se Policia e Shtetit ka ushtruar presion ndaj familjarëve të kandidates për deputete të Partisë Demokratike, znj. S. H., (shtetasi A. H. që u shoqërua, i afërm i saj), theksojmë se pretendimi është i pavërtetë pasi Policia për këtë rast ka kryer të gjitha veprimet procedurale konform ligjit dhe materialet janë referuar në Prokurori.
Policia e Shtetit garanton qytetarët dhe të gjitha subjektet politike se është tërësisht e baraslarguar nga subjektet politike dhe e fokusuar vetëm në zbatimin e ligjit, garantimin e rendit e sigurisë përgjatë fushatës elektorale dhe paprekshmërinë e votes”- thuhet në reagimin e policisë. Versus.al








