Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë takimit me qytetare të punësuara në një fasoneri në Durrës premtoi stimuj të veçantë për bizneset që hapen nga gratë.
Ai deklaroi se nëse PD vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 11 majit, do të mundësojë që bizneset e hapura nga gratë të favorizohen me kredi të buta dhe me heqjen e sigurimeve shoqërore për 1 vit.
“Absolutisht do ketë stimuj të veçantë për bizneset që dominohen nga gratë. Do ketë lehtësira qoftë në sigurimet e tyre shoqërore, qoftë në trajnimin e tyre.
Sikundër për gratë që hapin biznese, se ne duam të barazojmë gjendjen financiare të burrave dhe rgave, dhe në këtë aspekt ne do favorizojmë bizneset e çelura nga gratë.
Do i favorizojmë me një vit pa sigurime shoqërore, do i favorizojmë me taksa, do i favorizojmë me linja të buta krediti. Pra, ne do kemi një bankë zhvillimi, e cila në përparësitë e saj do ketë financimin me kredi të buta dhe grante të bizneseve të drejtuara nga gratë dhe të rinjtë. Kështu pra me 11 maj ne me votën tonë çelim një kohë tjetër për Shqipërinë Madhështore"- deklaroi kryedemokrati.
Më tej ai premtoi gjithashtu vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh si dhe paketën e dhembshurisë për 700 mijë pensionistë. Versus.al








