POLITIKË /

Berisha i ftoi në negociata, ja sesi përgjigjen Qori, Lapaj dhe Shehi për një kandidat të përbashkët për Tiranën

Qori e mohoi kategorikisht, ndërsa Shehi e Lapaj e lanë të hapur mundësinë, por me kushtin që kandidati të pranohet nga të gjitha partitë politike.

Shkruar nga Versus
Berisha i ftoi në negociata, ja sesi përgjigjen Qori, Lapaj dhe Shehi
Adriatik Lapaj, Dashamir Shehi dhe Arlind Qori

Kreu i PD, Sali Berisha bëri me dije se ka ngarkuar Flamur Nokën, Belind Këlliçin dhe Ilir Alimehmetin për të zhvilluar negociatat me partitë e tjera mbi gjetjën e një figure të përbashkët që të kandidojë për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen.

Në A2Cnn, kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori e refuzoi kategorikisht një bashkëpunim me PD-në në zgjedhjet e pjesshme lokale. Sipas tij, partia që kryeson lufton në të gjitha mënyrat qeverinë e Ramës, por edhe sistemin e vjetër poilitik të krijuar në Shqipëri.

“Unë nuk mendoj se ka opozitë në Shqipëri, në kuptimin e një përbashkësie partish që i kundërvihen me ndershmëri një mënyre qeverisjeje. Opozita e mirëfillt, e vërtetë, jo vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër krejt establishmentit politkiko-oligarkik në Shqipëri, është Lëvizja Bashkë dhe për të gjitha këto arsye, Lëvizja Bashkë do të garojë si parti me kandidatin e vetë në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, kurdo që ato të mbahen”, tha mes të tjerash Qori.

Ndërsa nga ana tjetër, kreu i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj dhe kreu i LZHK Dashamir Shehi e lanë të hapur një mundësi të tillë. Por thanë se ky bashkëpunim mund të realizohet vetëm në kushte të caktuara me zgjedhjen e një kandidati të gjithëpranuar nga palët politike.

“Ore unë do isha i lumtur të mbërrihej kjo punë dhe me atë gjënë time modeste po mundohem, të paktën me ndonjë ide. Varet nga personazhi që duan të vënë. Po u vu ndonjë djalë që tërheq, që ka një prestigj moral e politik, unë do i shkoja mbrapa me shumë kënaqësi. E kemi bërë këtë punë kur ka qenë Doktor Kosova dhe të tjerë dhe nuk ka qenë pa sukses fare. Por varet tani, nëse grupi i Berishës duan të vënë ndonjë nga ato që rrinë aty përqark, që nuk kanë hall të fitojnë zgjedhjet, por kanë hall që të përfaqësohen këto…”, tha mes të tjerash Shehi.

“Po diskutojmë me të gjitha strukturat tona dhe do të kemi një mendim zyrtar për këtë gjë, por bashkimi duhej kundër sistemit. Ju e mbani mend para zgjedhjeve që i kam shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjithëve dhe mora baltë dhe sulm nga pas, deri te tradhtia. Por kush ishte më e rëndësishme, të çahej sistemi dhe të luftohej Edi Rama, apo të luftohet për Bashkinë për një vit që është mandati aty. Si mund ta fitosh bashkinë ti, duke pasur në qeveri atë aty. Tani do flasim të vërtetën?”, tha mes të tjerash Lapaj. Versus.al

Poll