POLITIKË /

Berisha mbyll protestën para kryeministrisë, mesazhet që dha për Ramën

Shkruar nga Versus

Berisha mbyll protestën para kryeministrisë, mesazhet që dha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në mbyllje të “Foltores” para kryeministrisë deklaroi se nuk do të largohet nga sheshi deri në momentin që të largojë Edi Ramën nga pushteti. Berisha akuzoi Ramën se bashkëpunon me baronët e drogës dhe bëjnë ligjin në Shqipëri duke përdorur sipas tij paratë e krimit.

"Ne nuk e lëshojmë këtë shesh. Ky është sheshi ynë. Ne dalim nga ky shesh vetëm kur të shpëtojmë shqiptarët dhe Shqipërinë nga banda në pushtet. Arma e tmerrshme e kësaj bande është droga. Euro përtokë sepse vijnë eurot e drogës me kontejner”, tha Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se nuk do të lejojnë qeverinë që të përdorë Parlamentin në mënyrën më të zezë ndërsa theksoi se koha e qeverisë aktuale ka mbaruar.

“Qindra ndërmarrje të eksportit falimentojnë. Mijëra punëtorë dalin të papunë dhe marrin rrugët e dheut. Pse ikin? Se shkatërrohen vendet e punës. 35 për qind të vlerësohet euro. Ata pensionistë që jetojnë me ndihmën e familjarëve të tyre, 35 për qind më pak marrin.

Çmimet stratosferike në ndërtime se baronët e drogës s'i kanë gjë paratë. Ligjin e bën droga. Droga vret në aeroport, në Elbasan, vret këdo. Edi Rama qeveris së bashku me ta. S'e pranojmë kurrë këtë. E ka shndërruar parlamentin në institucionin më të turpshëm të vendit. Parlamenti është vota dhe vullneti juaj.

A do e lejojmë të përdorë parlamentin siç po e përdor? Jo, kurrë. Koha është e jona. Këtyre iu ka ikur koha. Koha e tyre është një kohë e zezë dhe këta duhet të shkojnë për veprat e tyre të zeza që iu kanë bërë shqiptarëve."-tha Berisha.

Me këtë deklaratë kryetari i PD-së, mbylli fjalimin e tij në foltoren e tretë që zhvillohet para kryeministrisë./Versus.al

 

Poll