Ish-kryeministri Sali Berisha ka thirrur protestë në ditën kur pritet të miratohet në Kuvend projektbuxheti 2025. Ai e cilësoi si detyrim për të gjitha shtresat e shoqërisë pjesëmarrjen në protestë për një projektligj kaq të rëndësishëm.
Sipas tij, po bëhet një "plaçkitje" e buxhetit që duhet të ishte planifikuar për nevojat e përgjithshme të qytetarëve.
“Natyrisht ne kemi zgjedhur që të paraqesim amendamentet tona në komisione dhe seancë plenare, të sigurt se ato nuk pranohen nga qeveria, e cila ka një synim kryesor, plaçkitjen maksimale të këtij buxheti nga organizata kriminale që kryeson Edi Rama, por paraqitja e tyre është një detyrim solemn para shqiptarëve për të bërë avokatinë e tyre dhe për të qenë të obliguar që në mbledhjen e parë të parlamentit shumicë të PD, ato ligje të votohen dhe të hyjnë në fuqi menjëherë.
Sigurisht, miratimi i këtij buxheti do të shoqërohet me protestë të fuqishme rreth parlamentit, ku qytetarët, pensionistët, fermerët, të papunët, bizneset e vogla, të gjithë ata që dëshirojnë të thonë zërin e tyre në ditën e plaçkitjes më të madhe të vitit, plaçkitjes së buxhetit në parlamentin e krimit”- u shpreh kryedemokrati gjatë konferencës me mediat.
Protesta e thirrur në datën 3 dhjetor, pritet të jetë në vazhdën e mosbindjes civile të nisur tashmë prej muajsh nga ana e opozitës e cila ka vendosur si kusht "krijimin e qeverisë teknike" për të bërë të mundur zgjedhje të lira në pranverën e 2025-ës. Versus.al







