
Në kampin opozitar situata nuk duket aspak e paqtë mes palëve pasi së fundmi një tjetër përplasje është shfaqur mes Partisë së Lirisë dhe LZHK-së. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka shpërthyer sot me anë të një postimi ndaj Dashamir Shehut për deklaratat që ky i fundit bëri në një studio televizive për sjelljen e Metës ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani.
“Ne që nuk besojmë te Berisha dhe Meta. E kishim harruar këtë të fundit dhe na doli dje në tribunë. Qëllimi ishte që të hipte atje të thoshte ato Dum Dumanët, të shante prokurorët që i vijnë vërdallë. Në vend të që të përballet si burrat për atë që kanë bërë ia venë fajin sistemit”, u shpreh Shehi.
Ndërsa Blushi ka reaguar ashpër duke e quajtur “pseudo-opozitar” që sipas tij e fiton mandatin në mënyrë të pamerituar. Ai shkon më tej duke e cilësuar Shehin si “shërbëtor” të Ramës dhe Bashës.
“Në mënyrë të përsëritur sipas një regjie të Edi Ramës, pseudo-opozitari Dash Shehi, që nuk përfaqëson askënd veç "klubeve të lagjes", vazhdoi edhe sot në funksion të diversionit brenda opozitës të sulmojë Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe opozitën e bashkuar.
Kjo figurë karagjoze e "fake opozitës", që dërgohet nga Edi Rama dhe Lul Basha nga një banak në tjetrin me premtimin për një qyl-mandat, ka marrë përsipër të "legjitimitojë" edhe institucionin e kapur prej fyti nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, si SPAK-u i Dum-Dumanëve.
Të gjithë kecat e Edi Ramës dhe Lul Bashës bashkë me Dashin e tyre që lufton veç për qyl-mandat dhe qyl-faqore duhet ta kenë të qartë se lufta pakompromis dhe patriotike e Ilir Metës me regjimin kriminal të Narkoshtetit dhe Ramaformës nuk ka kthim pas”- u shpreh Blushi në rrjetet sociale.
Përplasja erdhi pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga opozita, ku pjesëmarrës ishte edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili nuk i kurseu akuzat ndaj SPAK-ut. Versus.al








