Kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, është përfshirë në një debat të ashpër me kryetaren e Komisionit të Edukimit dhe Medias, Ina Zhupa, gjatë një seance të mbajtur këtë të hënë.
Përplasja erdhi në kuadër të diskutimeve për funksionimin dhe drejtimin e institucioneve sportive në vend, ku Zhupa ka ngritur shqetësime për transparencën, funksionimin institucional dhe çështje që lidhen me ndërhyrjen politike në sport.
Fidel Ylli, në përgjigje, ka mbrojtur veprimtarinë e KOKSH dhe ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe me ngjyrim politik. Debati është karakterizuar nga tone të ngritura dhe ndërprerje të ndërsjella, duke reflektuar tensionet mes institucioneve dhe përfaqësuesve të ndryshëm politikë në lidhje me sportin dhe autonominë e tij.
Ndër të tjera Ylli ka deklaruar se Shqipëria është një nga vendet që ka ligjin më të mirë të turizmit në botë.
Ylli: Po arritëm të fusim të gjithë sportet në shkollë i kemi bërë një nder të madh këtij vendi, federatat të kenë mundësi të kenë më shumë talente. Në nen të përfshijmë Lojërat Islamike dhe Lojërat Olimpike Evropiane që mbahen në Stamboll.
Zhupa: Në ndryshimet (e pr.ligjit) ka më shumë kompetenca për KOKSH. Ky ka ardhur si rezultat i faktit se ju e keni kryer këtë funksion edhe pse s’ka qenë me ligj më parë dhe ministria vihet për ta bërë de juro.
Evis Kushi: Ku i çon KOKSH në shtëpi?
Zhupa: Unë s’e di ku i çon. Këto para s’vijnë nga qielli, s’janë para që ju i nxirrni nga bizneset tuaja. Janë para që vijnë nga buxheti i shtetit, para të taksave të prindërve të atyre fëmijëve, paratë janë të vetë atyre, këtë funksion mund ta kryenin dy federatat përkatëse. Fakti që ju zgjeroni kompetencat tuaja duke u shtrirë në mandate të ndryshme duket. Mënyra se si ministria ju ka privilegjuar me fonde tregon preferencën dhe lidhjet tuaja pak më të forta se gjithë të tjerët. Tregon një lloj privilegjimi që kanë zgjedhur për t’jua dhënë ju. KOKSH si me magji është në të dyja grupet. Ka lidhje me influencën tuaj politike dhe lidhjet me maxhorancën dhe kryeministrin Rama. Ky projektligj ka një tendencë për ta centralizuar sportin drejt KOKSH-it. Ju të vini këtu dhe të na thoni që ministria kemi dy tre vërejtje se ministra ka bërë një projektligj të vetin unë se besoj se vetë e thatë që jeni hap pas hapi pas asaj që paraqet ministria. Ndoshta në shtator ju shohim ministër të Sporteve se ju mbarojnë edhe mandatet në federatë.
Ylli: Këtu është ndihma juaj nëse doni të kontribuoni që të ngrihen buxhetet e sportit. Unë jam president vullnetar, s’kam nevojë për lekët e KOKSH.
Zhupa: Mos qaj hallin tonë por të sportit se jeni bërë njësh me politikën, s’dihet ku fillon Rama e ku mbaroni ju, e ku filloni ju e ku mbaron Rama. /Versus.al/







