Kryedemokrati, Sali Berisha ka bërë një denoncim të fortë ditën e sotme sa i takon çështjes së delegjitimit të përgjimeve në “Sky Ecc” dhe “EncroChat” për të cilën pritet të shprehet Gjykata Kushtetuese.
Berisha tha se gjyqtarëve të gjykatës po u bëhen presione në forma të ndryshme me qëllim që përgjimet e “Sky Ecc” falë të cilave janë arrestuar “kokat” e krimit të organizuar, të mos pranohen si prova të ligjshme.
“Me gjyqtarët brenda Gjykatës Kushtetuese po ndodhin të gjitha format antikushtetuese të presionit ndaj tyre dhe gjithçka synohet të delegjitimojë dokumente legjitime zyrtare që vendet partnere kanë dorëzuar sepse e konsiderojnë si detyrim të ndihmojnë publikun shqiptar për të pasur një mjedis të sigurt, por edhe si detyrim për rrezikun e madh që bandat dhe mafia përfaqëson për vendet e tyre.
Kjo është e sigurt. Duan të çekuilibrojnë kuorumin e gjykatës përpara një vendimi jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili sigurisht nuk do të pranohet, do të apelohet nga PD. Por do të shënojë gllabërimin e institucionit kushtetues nga mafia dhe krimi”- u shpreh Berisha.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ditë më parë bëri deklarata të forta duke thënë se anëtarë të qeverisë shfaqen në aplikacionet e koduara duke ndihmuar anëtarë të krimit të organizuar.
Më herët Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e biznesmenit Pëllumb Gjoka të arrestuar falë dosjes “Metamorfoza” i cili kërkonte shpalljen e pavlefshmërisë së përgjimeve të zbardhura në “Sky Ecc”. Tashmë pritet vendimi final nga gjykata Kushtetuese.
Përgjimet e krimit të organizuar në Sky Ecc janë zbardhur nga autoritetet franceze e belge të cilat më pas ua kanë përcjellë informacionin autoriteteve shqiptare. Lidhur me shpalljen “delegjitime’ të përgjimeve në këto aplikacione të dyshuara si të përdorura nga njerëz të botës së krimit për porositje vrasjesh e trafik droge, janë bërë edhe ankimime në Strasburg. Ditën e djeshme, gjykata njoftoi mos-pranimin e një padie të bërë nga 2 britanikë të arrestuar për këto përgjime, me argumentin se çështja duhet ankimuar në shtetin që ka nxjerrë përgjimet. Versus.al








