Deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit mund të rrinë të qetë edhe për disa kohë nga SPAK-u.
Të paktën ata që nuk ëndërrojnë të bëhen ministra. Një lajm i mirë vjen nga Prokuroria e Posaçme, nga ku, zakonisht, janë mësuar të dëgjojnë akuza për korrupsion, pastrim parash, shkelje në tendera dhe pengim të drejtësisë akuza që u ngritën zyrtarisht për këtë vit ndaj katër prej tyre dhe konkretisht ndaj Ilir Metes, Erjon Velise, Monika Kryemadhit e Klotilda Bushkës.
Dy të tjerë ish kryeministri Sali Berisha dhe Fatmir Mediu janë dorëzuar më herët si të pandehur në gjykatë.
Sakaq për 140 deputetët e mandatuar të Kuvendit të Shqipërisë pas 11 majit, SPAK nuk ka regjistruar asnjëri prej tyre si person nën hetim.
Top Channel e mori këtë përgjigje nga SPAK-u, pasi i dërgoi emrat e deputetëve të shpallur fitues nga KQZ-ja.
Për shkak të shumë akuzave publike nga të gjitha palët, të ngritura veçanërisht, para zgjedhjeve, pyetja ishte direkt: A ka deputetë nën hetim?
Përgjigja e SPAK-ut nuk ishte aq e drejtpërdrejtë, por, tani për tani, mjaftueshmërisht e kënaqshme për politikanët e vjetër dhe të rinj, në maxhorancë dhe në opozitë.
“Emrat e përfshirë në listat e dërguara, nuk rezultojnë të jenë regjistruar deri tani si persona në hetim në regjistrin e njoftimit të veprave penale, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thotë SPAK.







