
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka nxjerrë një dokument të njërës prej bisedave të zhvilluara mes grupit kriminal që tentoi të hakeronte kompjuterat e prokurorëve të SPAK.
Ditë më parë SPAK dërgoi për gjykim dosjen në ngarkim të 3 të pandehurve, ish-drejtorit të Burgjeve, Agim Ismaili, Zambak Gjonit dhe hakerit Arnold Rrokaj. Ky i fundit në bisedën e publikuar i dërgon mesazh Gjonit me një foto ku tregonte se mund të aksesonte sistemet e SPAK. Ndërsa më tej në bisedë i shkruan: “do t’i shkruaj Ramës, hajt t’ua q** robt”.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për hakërrimin e kompjuterëve të SPAK. Sipas tij, hakeri do të raportonte tek kryeministri për dosjet që SPAK po hetonte, duke marrë informacion nëse po hetohej Ëngjëll Agaçi.
“Pra, besoj se edhe unë e kam denoncuar pa pasur asnjë dokument, dhe u kam deklaruar këtu se përfitues nga hakerimi ka qenë Edi Rama, një gjykatës, Ergys Agasi dhe e kam listën aty se kush kanë qenë porositësit e tyre.
Tani del fakt, nuk ka asnjë rëndësi, se Arnold Rrokaj do t’i raportonte direkt Ramës. Pra kishte numrin e kryeministrit dhe do i jepte sihariqin e parë atij për faqet që kishin hakeruar.
Ky përbën një nga krimet më të shëmtuara dhe më të rënda. Ky është implikim madhor i Edi Ramës dhe unë kërkoj dorëheqjen e tij urgjente. Të dashur qytetare dhe qytetarë, shikoni pra se si kreu i organizatës kriminale të ekzekutivit shqiptar kërkonte të vidhte dokumentet sekrete të hetimit vetëm e vetëm që të mund të kontrollonte këtë proces në mënyrat e tij.
E dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal. Edhe njëherë kërkoj largimin e menjëhershëm nga detyra të kryeministrit. Sikundër u bëj thirrje shqiptarëve të marrin në dorë fatet e ligjit dhe Kushtetutës në këtë vend sepse Edi Rama po kërkon t’i shkelmojë, t’i nënçmojë, t’i përdorë ato për qëllime krejtësisht kriminale të vetat”- deklaroi Berisha mes të tjerash. Versus.al


