Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatet që ka shkaktuar drafti i ri i Kodit Penal, duke ironizuar zërat kritikë që e kanë cilësuar atë si një përpjekje për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe veprimtarisë politike.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se "të alarmuarit" duhet të shmangin ekspozimin në diell, ndërsa theksoi se drafti është prezantuar publikisht për të mbledhur opinionet në mënyrë demokratike dhe transparente.
Sipas tij, problemi më serioz për lirinë në Shqipëri nuk qëndron te ndonjë "regjim" apo draft, por te ata që e përdorin lirinë vetëm për të krijuar kaos dhe për të pretenduar se ajo mungon.
Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:
Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell, ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij. Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj







