POLITIKË /

"Dy të rinj më zhgënjyen më shumë se të vjetrit", tjetër largim tek "Thurja" pas përplasjes për mandatin

Ky është largimi i dytë nga "Nisma Thurje" pas atij të Pano Sokos i cili e njoftoi këtë gjë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Shkruar nga Versus

"Dy të rinj më zhgënjyen më shumë se të

Pas ekspertit të ekonomisë Pano Soko, një tjetër largim ka ndodhur në radhët e Nismës Thurje. Anëtarja e këshillit bashkiak të Mirditës Rigerta Loku ka deklaruar se në vazhdim do të jetë e pavarur në veprimtarinë e saj politike duke hequr dorë nga partia ‘Nisma Thurje’.

Duke shprehur zhgënjimin e madh ndaj Endri Shabanit dhe Adriatik Lapajt për mandatin që në fund i kaloi të resë Kleana Xhuveli, Loku shkruan se ata të dy e kanë zhgënjyer më shumë se politikanët e vjetër.

Ajo tha se në këtë mënyrë me debatin e zhvilluar përgjatë ditëve të fundit, është minuar edhe besimi i njerëzve tek forca të reja politike që mund të dilnin në të ardhmen.

Deklarata e plotë e Lokut në rrjetin e saj social:

"Burri lidhet për fjale jo për konopi"

Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit që ndodhën në lidhje me mandatin e vetëm të " Nisma Shqipëria Bëhet" shpreh indinjatën time dhe mosdakortësinë absolute se si rrodhën ngjarjet.

Për mua besa dhe fjala e dhënë janë institucione më të vjetra dhe më të shenja se ligji dhe në gjithë këto kohë vetëm janë shkelur e përdhosur.

Ka vite e vite, që nga këtu ku jam, rend, jo pas partisë por pas idealeve, sepse nuk dua të bëj politikë me lojra fjalësh por me fjalën që ze  vend. Vetëm me dy statuse në fb, dy të rinj më pikëlluan e zhgënjyen më tepër se të vjetrit tash 30 vjet.

Për një mandat të vetëm nuk janë dëmtuam vetëm dy parti, një kualicion, por është dëmtuar dhe minuar rruga e të gjitha forcave të reja politike edhe atyre që ndoshta do dilnin nesër.

Besoja dhe kemi sakrifikuar fort që c'do mandat, që ky mandat, të zbriste te lista e hapur. Por kjo nuk ndodhi, dhe nuk ndodhi në menyrën më të keqe të mundshme.

Prandaj që sot unë nuk jam më e angazhuar politikisht me "Nismën Thurje" ama do vijoj të jem një elektron i lirë në të voglën time.

Patjetër që edhe në Këshill Bashkiak, do të kaloj zyrtarisht e pavarur, fundja e pavarur kam qënë gjithmonë. As nuk dua tja di për patitë e individëve, mua më intereson Mirdita ime, Shqipëria ime.

Ditën e djeshme, KQZ i dha fund debatit për mandatin e vetëm të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Tiranë duke ia kaluar Kleana Xhuvelit, kushërirës së Adriatik Lapajt e cila ishte renditur e katërta në listën e mbyllur. Ajo u shpreh se do ta mbante këtë post derisa mandati t’i kalojë ligjërisht Lapajt si më i votuari në listën e hapur.

I gjithë koalicioni u shpërbë për shkak se Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit u tërhoq nga dorëheqja e dhënë prej tij siç kishin rënë dakord që mandati t’i kalonte më të votuarit në listën e hapur që në këtë rast ishte Adriatik Lapaj. Në këtë situatë edhe kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani tha se nuk mbante përgjegjësi për veprimet e dajës së tij dhe se ky i fundit ishte i zhgënjyer nga fakti se Lapaj nuk kishte dhënë dorëheqje nga mandati i vetëm që fituan siç kishte deklaruar në një studio televizive. Versus.al

Poll