Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha teksa foli për takimet elektorale në jug të vendit, në konferencën me gazetarët deklaroi se do të mbyllë portalin qeveritar “E-albania”, të cilin e cilësoi si “kurthin më të keq i Ramës në të gjithë kohërat”.
Ai tha se nëse PD vjen në pushtet, zyrat e shërbimit të administratës në rrethe do të kthehen siç ishin. Sipas kryedemokratit, qytetarëve të cilët aplikojnë për të marrë dokumentet e tokës në e-Albania, u vijnë sekserët për t’u marrë 5 mijë euro për dynym.
“Ju duhet të dini një gjë se në qoftë se largohemi pak kilometra nga bregdeti, në zonat e jugut fillon një shkretëtirë në raport me banorët. Një pakësim jashtë imagjinate. Shkolla të mbyllura, klasa kolektive me pak nxënës. Qendra shëndetësore me dyer të mbyllura me ferra. Mungesë mjekësh, mungesë shërbimesh. E-Albania, kurthi më i keq i kohërave i Edi Ramës. E kam quajtur telefoni i prishur. Jo, në jug zbulova një gjë tjetër. Jo, ai ishte kurthi i gjobave.
Çfarë ndodhte? Aplikonte banori nga jugu për të marrë dokumentet e tokës në e-Albania. Dy muaj heshtje mortore, pas dy muajsh, pasi bëhej një lojë e tmerrshme psikologjike me pronarin e tokës, i vinte sekseri. I thoshte ke aplikuar aty, atëher për një dynym tokë duhet të japësh 5 mijë euro. Për dynymin tjetër 5 mijë euro e më shumë. Dhe njëlloj si Lubi Balluku që i ndan rrugët me lote, e-Albania ua ndante me dynym dokumentet e pronësisë së tokës, pronarëve të tokave në jug. Atje, mungesa e të gjitha zyrave, shkatërrimi i qyteteve, heqja e administratës.
Por premtimet e mia ishin të qarta se kjo merr fund 100 ditët e para. Në çdo rreth do kthehen të gjitha zyrat siç kanë qenë në vitin 2013. Të gjitha shërbimet pa përjashtim. 100 kilometra bën ai nga Himara për të shkuar në Vlorë. Jo. Bashkia do i ketë aty shërbimet”- u shpreh Berisha.
“Ky ishte një tur nga i cili njeriu kthehet mirënjohës, por kthehet edhe i trishtuar kur sheh gjendjen e atyre zonave mahnitëse, bukurive magjepsëse, trashëgimive kulturore unike me braktisjen masive të tyre, me vjedhjen e madhe...80 përqind e të rinjve që mbaronin gjimnazet, largoheshin”- shtoi më tej lidhur me takimet elektorale në jug të vendit. Versus.al








