Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta kthejë në Gjykatën e Lartë, kërkesën e Erion Veliajt për ndryshimin e masës së arrestit me burg,.
Vendimi në Kushtetuese është marrë 5 me 3 në favor të Erion Veliajt.
Vendimi është i bazuar në praktikën e Kolegjeve të Bashkuara dhe në një opinion të Komisionit të Venecias.
Kushtetuesja i kërkon Gjykatës së Lartë që ta rishqyrtojë çështjen ku Veliaj kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë arrest me burg dhe pranimin e pjesshëm të kërkesës.
"Shfuqizimin e vendimit të datës 8 korrik 2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Vendimi përfundimtar do të zbardhet brenda afateve ligjore të parashikuara”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Veliaj kërkoi ndryshimin e masës dhe kjo u rrëzua më herët, teksa iu drejtua Kushtetueses për zgjidhje ligjore.
Veliaj është arrestuar më 10 shkurt me urdhër të GJKKO-së, ndërsa në kërkesën për liri në Kushtetuese argumentonte se i është cenuar liria individuale, por duke qenë se është Kryetar i zgjedhur i Bashkisë, cenimi i lirisë është i dyfishtë, pasi ai nuk mund të ushtrojë detyrën.
Ndër të tjera, Veliaj thonte në ankim se gjykatat kanë dështuar të analizojnë kriteret për vendosjen e masës së sigurimit, pasi, sipas tij, Kodi i Procedurës Penale parashikon që të gjithë, pasi kalon një periudhë kohore, duhet të gjykohen në liri kundrejt një garancie pasurore për të cilën ai ka qenë i gatshëm ta lërë.
Paralelisht, Veliaj është në pritje dhe të një vendimi tjetër, më 28 maj, nga Gjykata e Lartë, ku ai ka kërkuar po ashtu ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’, dhe zëvendësimin me një tjetër masë më të lehtë sigurie.

