Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të mblidhet sot për të shqyrtuar raportin e përgatitur nga pesë përfaqësuesit socialistë në Këshillin e Mandateve lidhur me kërkesën e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Hartimi i raportit i është besuar kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka kërkuar që në mbledhje të jenë të pranishëm të gjithë deputetët e mazhorancës. Në takim pritet të marrë pjesë edhe vetë Balluku.
Gjatë mbledhjes pritet të mbajë një fjalim edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa ende nuk dihet nëse ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë do të marrë fjalën për të shprehur qëndrimin e saj.
Megjithëse socialistët nuk janë shprehur zyrtarisht publikisht, nga deklaratat e tyre është lënë të kuptohet se, pas largimit të Ballukut nga detyra, nuk shohin arsye për të dhënë autorizim për arrestimin e saj.
Një qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe Rama në mbledhjen e fundit me grupin parlamentar dhe ministrat, kur njoftoi ndryshimet në qeveri dhe largimin e Ballukut nga posti për shkak të masës së pezullimit të vendosur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kjo masë mbeti në fuqi pasi Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk arriti të marrë një vendim përfundimtar.
Anëtarët e Kushtetueses vlerësuan njëzëri se ministri nuk përfiton nga përjashtimet e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale për masën e pezullimit, por u ndanë në interpretimin nëse për zbatimin e saj duhet apo jo autorizimi i Kuvendi i Shqipërisë.
Pas këtij zhvillimi, shumica qeverisëse propozoi ndryshime në nenin 242/2 të Kodit të Procedurës Penale, duke përfshirë ndalimin e pezullimit edhe për anëtarët e qeverisë, presidentin dhe drejtuesit e institucioneve të pavarura.
Vendimi përfundimtar për kërkesën e SPAK ndaj Ballukut pritet të merret në seancën plenare të 12 marsit. Ndërkohë, opozita ka publikuar raportin e saj duke mbështetur kërkesën e prokurorisë./Versus.al

