
Deputeti i Partisë "Mundësia", Agron Shehaj, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar vendimin që e përjashton për 60 ditë nga punimet e Kuvendit.
Në një deklaratë për mediat, Shehaj e cilësoi masën si të paligjshme dhe antikushtetuese, duke argumentuar se përjashtimi i një deputeti për një periudhë kaq të gjatë cenon të drejtën e përfaqësimit të qytetarëve dhe ushtrimin e mandatit parlamentar.
“Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Është e palegjitimueshme që një deputeti t’i mohohet e drejta për të ushtruar mandatin. Do të bëjmë opozitë aty ku mundemi. Nuk do ta lejojmë që një deputet i opozitës të ndalohet me dhunë dhe të mos ketë fjalën e tij në Kuvend”, deklaroi Shehaj.
Ai theksoi se, pavarësisht përjashtimit nga seancat parlamentare, Partia Mundësia do të vijojë të ushtrojë rolin opozitar përmes të gjitha mekanizmave ligjorë dhe institucionalë në dispozicion.
Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën do të mblidhet ditën e martë për të shqyrtuar kërkesën e PS për marrjen e një mase disiplinore ndaj deputetit Agron Shehaj, pas incidentit të ndodhur në ambientet e Kuvendit me dokumentin e klasifikuar.
Partia Socialiste kërkon përjashtimin e Shehajt nga punimet e Kuvendit për 60 ditë, si edhe referimin e çështjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Sipas kërkesës së PS-së, gjatë shqyrtimit të marrëveshjes së huasë direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për financimin e jashtëm ushtarak, deputetët ishin njoftuar se dokumenti përmbante informacion të klasifikuar dhe mund të konsultohej vetëm në ambientet e përcaktuara nga Kuvendi, pas nënshkrimit të deklaratës së konfidencialitetit./Versus.al

