POLITIKË /

Çfarë do diskutohet? Shkupi bën bashkë për 2 ditë Ramën, Kurtin dhe Vuçiç!

Sot dhe nesër në Shkup do të jenë udhëheqësit kryesorë të Ballkanit Perëndimor, përfshirë kryeministrin Edi Rama, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç, ku do të diskutohet mbi Planin e Rritjes për rajonin.

Shkruar nga Versus

Çfarë do diskutohet? Shkupi bën bashkë për 2

Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, ndodhet për një vizitë zyrtare në Shkup, Maqedonia e Veriut, me rastin e pjesëmarrjes në Takimin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor mbi Planin e Rritjes, që zhvillohet më 30 qershor dhe 1 korrik 2025.

Sot dhe nesër në Shkup do të jenë udhëheqësit kryesorë të Ballkanit Perëndimor, përfshirë kryeministrin Edi Rama, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç, ku do të diskutohet mbi Planin e Rritjes për rajonin.

Sipas axhendës zyrtare të siguruar nga Versus.al, vizita nisi pasditen e së hënës, ku Kryeministri dhe delegacioni që e shoqëron u pritën në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit nga ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani. Pas akomodimit në hotelin DoubleTree by Hilton, Rama mori pjesë në një darkë pune të organizuar nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickoski, me pjesëmarrjen e liderëve të tjerë të rajonit.

Delegacioni shqiptar në këtë vizitë përfshin ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, z. Blendi Gonxhja, ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren me BE-në, znj. Majlinda Dhuka, ambasadorin Meidani dhe znj. Eridana Çano, Drejtoreshë e SASPAC.

Aktivitetet kulmore zhvillohen të martën, më 1 korrik, ku në orën 10:00 nis Samiti i Ballkanit Perëndimor për Rritjen me temë “Stabilitet, Unitet, e Ardhme”. Pas fjalëve hapëse nga nikoqiri, z. Mickoski, dhe komisionerja për zgjerimin e BE-së, znj. Marta Kos, vijon Paneli i parë, ku Kryeministri Rama do të mbajë një fjalë 5-minutëshe krahas liderëve të tjerë rajonalë si Albin Kurti, Aleksandar Vučić, Milojko Spajić dhe Borjana Krišto.

Paneli fokusohet në vlerësimin e Planit të Rritjes, hapat e ardhshëm dhe komunikimin, si dhe nismat konkrete në turizëm, mbrojtjen e konsumatorit dhe lëvizjen drejt një tregu të përbashkët rajonal.

Pas një fotoje familjare dhe pushimit të zakonshëm për takime bilaterale, samiti vazhdon me një konferencë për shtyp nga Kryeministri Mickoski dhe komisionerja Kos, ndërsa në orën 12:45 nis Paneli i dytë, i rezervuar për ministrat dhe përfaqësuesit e BE-së, ku liderët nuk marrin pjesë drejtpërdrejt.

Dita do të mbyllet me një drekë zyrtare mes liderëve, të shtruar nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut. /Versus.al/

Poll