Një situatë paradoksale po kalon Bashkia e Kavajës, ku kryebashkiaku i djathtë, Fisnik Qosja, duket se ka shmangur linjën zyrtare të Partisë Demokratike sa u përket denoncimeve për favorizime në prokurimet publike.
Së fundmi, kjo bashki ka shpallur fituese të një tenderi me vlerë 82 milionë lekë kompaninë “4S shpk”, e cila është në pronësi të Xhino Sinanit, djalit të biznesmenit Shemsi Sinani. Ky i fundit është një emër i lakuar fort nga selia blu si një nga “të preferuarit” e qeverisë socialiste.
![]()
Tenderi pa garë dhe oferta pranë limitit
Prokurimi i hapur për blerjen e ushqimeve për Shtëpinë e të Moshuarve “Sefer Dervishi” është mbyllur me një fitues të paracaktuar nga mungesa e konkurrencës. Në garë ka marrë pjesë vetëm subjekti “4S”, i cili ka paraqitur një ofertë prej 97.5% të vlerës limit. Në kushtet e mungesës së rivalëve, Bashkia e Kavajës e ka shpallur automatikisht fitues djalin e biznesmenit të denoncuar nga PD.
![]()
Përplasja me linjën e PD-së
Ajo që e bën këtë vendim të diskutueshëm është fakti se në dhjetor të vitit 2024, Partia Demokratike përmes zëdhënëses për Antikorrupsion, Genta Vangji, lëshoi akuza të rënda ndaj kësaj kompanie.
Sipas denoncimit të atëhershëm, familja Sinani zotëron kompani që përfitojnë kontrata mujore nga qeveria, ndërkohë që Shemsi Sinani rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë me 4 vite burg për korrupsion në tendera. Vangji asokohe e cilësoi kalimin e kompanive te djemtë, Xhino dhe Ledion Sinani, si “dhurime fiktive” për të vijuar marrjen e parave publike.
Dilema: Rastësi apo mosmarrëveshje brenda të djathtës?
Kontrata e fundit në Kavajë ngre pikëpyetje mbi koherencën e Fisnik Qosjes me strukturat drejtuese të partisë së tij. Ndërsa PD akuzon qeverinë për favorizimin e kompanisë “4S”, i njëjti subjekt merr tashmë “bekimin” e një kryebashkiaku të djathtë, madje pa pasur asnjë ofertë tjetër në tryezë.
Mbetet për t’u parë nëse ky veprim i Qosjes është një sfidë ndaj denoncimeve të Genta Vangjit, apo nëse interesat lokale në Kavajë kanë peshuar më shumë se qëndrimet politike të selisë qendrore./JOQ

