Ndërkohë që dhjetëra milionë euro fonde të IPARD të dhëna nga BE për bujqësinë vijojnë të jenë të bllokuara për shkak të korrupsionit, kryeministri Edi Rama gjatë takimit me fermerët në Berat, nuk ngurroi të përmendet benefitet që do përfitojë ky sektor me anëtarësimin e vendit në BE.
Rama tha se bujqësia do të financohej nga BE me 300 milionë euro në vit. Sipas tij, kur bëhet fjalë për mundësi të tillë, problemet e tjera nuk duhen parë aq të mëdha.
“Sot nëse i kthehemi pak mbrapa llogarisë, ne kemi marrë nga BE mbështetje shumë më pak se 200 milionë euro. Në momentin që bëhemi anëtarë të BE 300 milionë euro në vit vetëm për fshatin dhe bujqësinë. Llogariteni se çfarë kapacitetesh financiare na krijohen ne. Se janë 1 miliardë për një mandat qeverisës, ku i ka pasur ndonjëherë bujqësia 1 miliardë euro?
Është të vësh mushkëri të reja që nuk mundesh dot t’i lësh pa i vënë se ke disa politikëra në kokë. Me këtë nuk vijnë vetëm 300 milionë euro, por edhe shumë gjëra të tjera që janë programe ku ne nuk mund të kemi sot akses sepse nuk jemi pjesë e asaj familje”- u shpreh Rama.
Në vitin 2023, Bashkimi Europian bllokoi fondet e IPARD II për Bujqsinë pasi u gjetën shkelje të kryera gjatë periudhës 2014-2020. Versus.al








