
Ky është momenti kur kryeministri Edi Rama del i buzëqeshur nga presidenca pasi i dorëzoi presidentit Bajram Begaj emrat e anëtarëve të rinj të kabinetit qeveritar të cilët do të nisin punën pasi të dekretohen dhe të bëjnë betimin në Kuvend.
Qëndrimi i kreut të ekzekutivit në presidencë ka zgjatur vetëm 15 minuta. Ndërsa tashmë pritet vetëm dekretimi i Begajt.
Rama bëri “rrokadë” në qeveri me disa emra të rinj në poste ministrore, duke shkarkuar Niko Peleshin nga ministria e Mbrojtjes dhe duke vënë në vend të tij Pirro Vengun, drejtorin aktual të Portit të Durrësit.
Po ashtu, Elisa Spiropali do të jetë në krye të Kuvendit duke pasuar Lindita Nikollën e cila ditë më parë bëri publike dorëheqjen e saj. Ndërsa vendin e Spiropalit do ta zërë Taulant Balla i cili nuk do të mbajë më postin e ministrit të Brendshëm. Në këtë dikaster, e zëvendëson Ervin Hoxha. Ndërsa në ministrinë e Financave, Ervin Mete zëvendësohet nga Petrit Malaj. Versus.al








