
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë këtë të diel në rrjetet sociale një letër zyrtare të marrë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, duke e cilësuar atë si një privilegj besimi dhe një përgjegjësi të madhe për të përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
“Me nderin dhe kënaqësinë e ndarjes me ju të letrës që mora dje nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara… ju siguroj se do të bëj deri në fund gjithçka duhet për ta lartësuar emrin e Shqipërisë dhe dinjitetin e shqiptarëve”, shkruan Rama në postimin e tij, duke uruar gjithashtu një të diel të qetë për qytetarët.
Ftesë zyrtare për një nismë globale paqeje
Letra, e datës 16 janar 2026, është drejtuar zyrtarisht Kryeministrit të Shqipërisë dhe përmban një ftesë direkte dhe personale nga Presidenti Trump që Shqipëria të bashkohet në një përpjekje historike dhe madhështore për forcimin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe për zgjidhjen e konfliktit global.
Trump i referohet Planit Gjithëpërfshirës për përfundimin e konfliktit në Gaza, të shpallur më 29 shtator 2025, një plan me 20 pika që, sipas tij, ka marrë mbështetje të gjerë ndërkombëtare, përfshirë liderë të botës arabe, Izraelin dhe Europën. Ky plan u pasua nga miratimi i Rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, më 17 nëntor 2025.
Shqipëria, shtet themelues i “Bordit të Paqes”
Në qendër të kësaj nisme ndodhet krijimi i Bordit të Paqes, i përshkruar nga Trump si organizata më mbresëlënëse dhe me ndikim e krijuar ndonjëherë, e cila do të funksionojë si një Organizatë e Re Ndërkombëtare dhe Administratë Qeverisëse Tranzitore.
Në cilësinë e Kryetarit të këtij Bordi, Presidenti amerikan fton zyrtarisht Shqipërinë, të përfaqësuar nga Kryeministri Rama, që të bëhet Shtet Anëtar Themelues dhe palë në Statutin e Bordit të Paqes.
“Është një nder i rezervuar për ata që janë të përgatitur të udhëheqin me shembull dhe të përkushtohen për një të ardhme të sigurt dhe të begatë për brezat që do të vijnë”, thuhet në letër.
Mesazh për të ardhmen dhe rolin e Shqipërisë
Trump shprehet se në një të ardhme të afërt do të mblidhen partnerët kryesorë të kësaj nisme, shumica prej tyre udhëheqës botërorë shumë të respektuar, ndërsa thekson dëshirën për një bashkëpunim afatgjatë me Shqipërinë në funksion të paqes së përhershme, mirëqenies dhe madhështisë për të gjithë.


