Gara për listat e hapura të kandidatëve të Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës vijon të jetë mjaft e ngushtë dhe dinamike, ndërsa kanë mbetur edhe pak kuti për t’u numëruar, së bashku me rreth 5000 zarfe nga diaspora.
Renditja e kandidatëve vazhdon të ndryshojë në mënyrë të vazhdueshme, duke e bërë përballjen vendimtare deri në votën e fundit.
Në listën e hapur të PS-së për Tiranën, që ka siguruar 7 mandate shtesë përveç 12 emrave të konfirmuar, kryeson Blendi Gonxhja me mbi 21 mijë vota. Pas tij renditet Erion Braçe me mbi 20 mijë vota, ndërsa më tej ndjekin Ervin Hoxha dhe Fatmir Xhafaj.
Beteja më e fortë po zhvillohet për tre vendet e fundit që sigurojnë hyrjen në Kuvend. Aktualisht, Ornaldo Rakipi ka kaluar me një diferencë të vogël Xhemal Qefalinë, i cili është në garë të ngushtë edhe me Anila Denajn dhe Blerina Gjylametin. Në rast se renditja përfundimtare mbetet e tillë, Denaj dhe Gjylameti mund të përfitojnë nga kuota gjinore për të hyrë në parlament.
Ndërkohë, në garë është edhe Olta Xhaçka, e cila mund të përmbysë rezultatin nëse arrin të grumbullojë më shumë preferenca nga votuesit e Tiranës, duke rrezikuar kështu vendin e Blerina Gjylametit./Versus.al







