Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji në një intervistë për A2CNN ka folur për mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Bashkë të Arlind Qorit në zgjedhjet e parakohshme për bashkinë e Tiranës.
Pavarësisht se më herët Qori rrëzoi çdo mundësi bashkëpunimi me klasën e vjetër politike, Salianji bëri thirrje që të lihen mënjanë ndarjet ideologjike. Ai tha se ka lindur nevoja për bashkim për të mposhtur PS-në të cilën e krahasoi me Partinë e Punës.
“Këto janë zgjedhje administrative për të cilat mund të gjendet dakordësia edhe me parti që ideologjikisht pak na puqin. Ka një kohë kur bashkohesh dhe një kohë kur ndahesh. Të rrëzojmë njëherë Partinë e Punës dhe të diskutojmë pastaj me njëri-tjetrin kush është rruga më e mirë,” tha Salianji.
Ai theksoi gjithashtu se PD duhet të përshpejtojë negociatat me partitë e tjera dhe të gjendet dakordësia për një emër të përbashkët, duke shmangur llogaritjet individuale dhe duke u fokusuar te fitorja e zgjedhjeve. Versus.al







