POLITIKË /

"Garon" i vetëm për kreun e PD, Berisha: Të tjerët nuk kandiduan se nuk ishin të sigurt për rezultatin

Shkruar nga Versus

"Garon" i vetëm për kreun e PD, Berisha: Të tjerët

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një konferencë me mediat ditën e sotme gjatë së cilës u pyet edhe lidhur me mungesën e kandidatëve përballë tij për kreun e partisë në zgjedhjet që mbahen më 23 maj.

Berisha tha se zgjedhje të ngjashme ka edhe në Evropë e botë dhe pretendoi se të gjithë kanë qenë të lirë të kandidojnë, por nuk e kanë bërë një gjë të tillë për shkak se nuk janë të sigurt për rezultatin.

“Por, natyrisht prania e kandidatëve është diçka shumë e mirëpritur në këtë proces. Por e vërteta është se në 75 përqind të rasteve kur në garë është kryetari, për fat jo të mirë, të tjerët nuk hyjnë në garë. Pse nuk hyjnë në garë? Jo se nuk mund të hyjnë në garë, mund të hyjnë plotësisht, por sepse nuk dëshirojnë të angazhohen në një garë që nuk kanë të sigurt rezultatin.

Dhe kjo nuk është vetëm në Shqipëri, kjo është në Evropë dhe në botë. Kjo është statistika e kësaj lloj gare. Shumica e partive politike në botë nuk e zgjedhin me ‘një anëtar-një votë’ kryetarin, e zgjedhin me forume, e zgjedhin gjer me aklamacion, me duartrokitje dhe merret si ekuivalent vote. Ne e zgjedhim me praktikën ‘një anëtar-një votë’”- tha Berisha.

Sa i takon mungesës së kandidaturës së Salianjit, kryedemokrati tha se ish-deputeti ishte vetëpërjashtuar.

“PD është anëtare e të gjitha këtyre institucioneve dhe ai që shkruan letër është një i vetëpërjashtuar nga kjo parti. Por ai natyrisht ka të drejtat e tij, mund të shkruajë letra ku të dojë, është i lirë. Sikundër është i lirë t’i drejtohet organeve të partisë, gjykatës së partisë, ku të shprehë ankesën, megjithëse ai u vetëpërjashtua, zgjodhi vetë vetëpërjashtimin. Ndaj dhe letrat e shkruara nga zyra e Edi Ramës apo ndonjë tjetri, nuk kanë asnjë vlerë për Sali Berishën”-tha Berisha duke komentuar edhe letrën e Salianjit kundrejt PPE. Versus.al

Poll