
Kuvendi është përfshirë në debate të shumta mes deputetëve sa i takon kërkesës së demokratëve që të përfshihet në rend dite raportimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi gjetjet e rënda të bëra publike së fundmi, si skandali te Onkologjiku apo skandali me lëndën kancerogjene me 13 ton akullore në tregun shqiptar.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se qeveria po tenton të mos lejojë KLSH-në të bëjë raportimin e skandaleve në Kuvend, pretendim që mori përgjigjie nga deputeti Shalsi i cili si kryetar i komisionit të Ekonomisë tha se KLSH nuk u është përgjigjur pyetjeve të bëra nga socialistët, një prej tyre edhe kërkesa e institucionit për shkarkimin e drejtoreshës së Buxhetit, Mimoza Dhëmbi.
Pjesë nga diskutimi në Kuvend:
Shalsi: Të paktën të merren vesh mirë me njëri tjetrin sepse do kishin kuptuar se në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave prej qysh kur nuk mbahet mend një zonjë me emrin Mimoza Dhëmbi, për të cilën KLSH ka kërkuar shkarkimin nga detyra. Është precedent i ri për komisionin por ditën që në mendjen tonë erdhi kërkesa për shkarkimin nga detyra të një njeriu të rangut të lartë atëherë i kërkuam KLSH të sqaronte motivet dhe arsyet pse e kanë çuar në një masë të tillë ekstreme, një punonjëse për të cilën i gjithë grupi parlamentar i PD ishte i shqetësuar. Ka pyetje pa përgjigjie nga KLSH. Për shembull, skandali i Onkologjikut, është pyetur nëse ka patur një denoncim, por ende nuk kemi një përgjigjie. Mund të vijojmë me pyetje që i kemi bërë KLSH të cilat kanë mbetur pa përgjigjie. Nuk ka nevojë KLSH për avokatinë tuaj.
Bardhi: Nuk merremi me rastet individuale me gjithë respektin që kemi për zonjën në fjalë. Zonja kryetare ajo që u tha është e pavërtetë e madhe. Me zë dhe figurë komisioni i Ekonomisë ka propozuar draft-rezolutën për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Secili koleg mund t’i bëjë çdo pyetje që dëshiron kreut të KLSH. E papranueshme që i vetmi institucion për të cilin Kuvendi nuk miraton një rezolutë për vitin 2024 është KLSH. Komisioni duhet të përfundojë sot rezolutën se nuk mund ta shtyjmë derisa Shalsi të gjejë pse është propozuar shkarkimi i një nënpunësje të shtetit. Fusni në rendin e ditës raportimin e kreut të KLSH dhe miratimin e rezolutës përkatëse. S;mund të shtyhet deri në fund të vitit raportimi i institucionit kyç për auditimin financiar.
Të njëjtin shqetësim e ngriti edhe deputeti demokrat Dashnor Sula i cili tha se duhet që të ketë projektrezoluta të miratuara mbi raportimet e institucioneve të pavarura në Kuvend.
Ndërsa nënkryetarja e komisionit të Ekonomisë, Sorina Koti tha se po tentohet që KLSH të mos lejohej të raportonte për shkak të shkeljeve që janë gjetur në fusha të ndryshme. Koti kërkoi që komisioni të mblidhet sot dhe të miratojë raportin e KLSH e më pas të votohet projektrezoluta në Kuvend.

“Draft- rezoluta u është shpërndarë kolegëve për miratim, nëse kërkohet më shumë kohë sepse KLSH ka raportuar shkeljet në institucionet shtetërore, atëherë duhet të kishte raportuar më herët në komision dhe jo të lihej për ditët e fundit. KLSH i është përgjigjur çdo pyetje. Unë si nënkryetare propozoj që të komisioni të mblidhet urgjent dhe të marrim një vendim mbi një raport për ditën e sotme. Nëse e lëmë për në shtator këtë rezolutë, nuk ka kohë fizike që ky institucion të marrë për bazë rekomandimet e Kuvendit. I bëjmë thirrje kryetarit dhe sekretares meqë janë këtu që të bëjnë një mbledhje dhe të vendosin sesi do vazhdohet”- u shpreh Koti.
Ndërsa socialisti Erion Braçe tha se ishte i kënaqur me punën e KLSH, por u kërkoi ligjvënëse demokratë që të mos krijonin situata të paqena duke thënë se qeveria po përpiqet të ndalojë raportimin e kreut të KLSH Arben shehu.

“KLSH është institucion unilateral me kryetar që ka një mandat 7 vjeçar. Nuk ka praktikë që mazhoranca të shkarkojë kreun e KLSH, për këtë të jenë të gjithë të qetë. Unë nuk jam i pakënaqur nga veprimtaria e KLSH dhe e kam thënë aty, nuk ka qëllim për të kapur KLSH”- u shpreh Braçe duke u kërkuar demokratëve që të mos krijonin situata të paqena lidhur me mungesën e raportimit nga kreu i KLSH në Kuvend. Versus.al








