
Në komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike është zhvilluar seanca dëgjimore për raportimin e veprimtarisë vjetore të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2024. I pranishëm ishte kreu i ILD-së, Artur Metani i cili dha shifra për ankesat e drejtuara për organet e drejtësisë, mes të cilëve edhe SPAK e GJKKO.
Duke qenë se së fundmi i gjithë pushteti gjyqësor është i fokusuar në krimin e rëndë të ndodhur më 6 tetor ku u vra brenda sallës së gjyqit, gjyqtari Astrit Kalaja, Metani e vuri theksin tek disa problematika të cilat nxisin tek qytetarët perceptim negativ ndaj gjyqtarëve e prokurorëve.
Mes tyre, ai përmendi mungesën e kushteve sa i takon infrastukturës në gjykata. Ai tha se nuk ka ambiente të përshtatshme dhe as aplikim të teknologjisë së informacionit apo regjistrime audio nëpër gjykata.
“Përballet me sfida të rëndësishme, efektiviteti dhe cilësia e sistemit të drejtësisë nuk janë në nivelin që t’ju përgjigjen pritshmërive të qytetarëve shqiptarë. Ky është procesi i konsolidimit të reformës në drejtësi dhe përgjegjësi e të gjitha institucioneve tona.
Një tjetër problematikë është infrastuktura e pushtetit gjyqësor. Mungesa e ambienteve të përshtatshme dhe aplikimi i teknologjisë së informacionit, përfshirë regjistrimet audio të seancave ndikojnë në cilësinë e gjykimit apo zhvillimit të procesit penal. Në disa raste këto aspekte kanë ndikuar edhe në sjelljen jo etik profesionale të magjistratëve duke ekspozuar sistemin e drejtësisë ndaj perceptimeve negative nga publiku. Prandaj investimi në infrastrukturë duhet të shihet si pjesë e pandarë e politikave për forcimin e pavarësisë dhe legjitimitetit”- tha Metani.
Sa i takon stokut të madh të dosjeve për çështjet gjyqësore të mbartura prej dekadash, Metani bëri thirrje për hartimin e një plani kombëtar që të përmbajë rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe krijimin e grupeve të punës në secilën gjykatë.
“Ngarkesa e jashtëzakonshme e punës me numrin e lartë të çështjeve gjyqësore mbetet një ndër sfidat më serioze që cënon cilësinë dhe kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore. Kërkohet angazhimi i përbashkët i të gjithave institucioneve publike për hartimin e masave konkrete për reduktimin e tyre, rritjen e numrit të gjyqtarëve, shtimin e burimeve njerëzore dhe përmirësimin e infrastrukturës. Njëkohësisht vetë gjykatat dhe zyrat e prokurorisë duhet të hartojnë sisteme të prioritizimit të cështjeve për të siguruar trajtim më të shpejtë të dosjeve gjyqësore”- shtoi kreu i ILD. Versus.al







