
Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një takim të mbajtur sot në Dibër, vuri në pah rolin thelbësor që gratë dhe vajzat kanë luajtur në sukseset elektorale të PS-së. Ai theksoi se përfaqësimi i tyre është rritur ndjeshëm në të gjitha nivelet — nga anëtarësia, te drejtimi i bashkive e deri në Kuvend.
Rama solli si shembull dy kryebashkiaket e Bulqizës dhe Klosit, për të ilustruar fuqizimin e rolit të grave në drejtimin lokal, ndërsa nuk munguan as batutat karakteristike me gratë dhe vajzat e pranishme në sallë.
Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, ai tha me ironi se fitoren e dhjetë të PS-së nuk do ta sigurojnë burrat, të cilët i përshkroi si “gjysma normalë dhe gjysma çyrykë”, duke shtuar se pa gratë në shtëpi, ata mbeten “edhe me bisht”.
Me tone humoristike, por edhe të qarta politike, Rama i dha një tjetër mesazh elektoratit dhe strukturave të PS-së: gratë janë jo vetëm pjesë e pandashme e partisë, por një forcë vendimtare për të ardhmen politike të saj.
Fjala e Ramës para grave socialiste:
“Në të gjithë Shqipërinë, PS e mbështesin 56% e grave dhe vajzave. Ka disa qarqe me 65%, Dibra llogaritet me 40% mbështetje nga gratë dhe vajzat. Nëse ne kemi shumicën e votuesve të parë, na mjafton vetëm gjysma e burrave, nuk na duhen më shumë, se kjo jetë na ka mësuar këtu se gjysma e burrave janë normalë, gjysma tjetër janë çyrykë. Kjo do na bëjë që më 11 maj jo në Dibër vetëm, por në të gjithë Shqipërinë të kemi fitoren më të madhe tonën, kjo është e 10-ta dhe fal kësaj e të gjtiha grave si ju këtu, të realizohet dhe të bëhet më e madhja nga të gjitha.
Më pyesin pse e filloi PS fushatën me gra e vajza fushatën. Përgjigja ime është se me kë ta fillonte? Me kë? Sikur ju të iknit një muaj nga Shqipëria e t’i lini burrat këtu vetëm një muaj. Jo më shumë. Kur të ktheheni do gjeni burat me bisht. Po sikur të ikin burrat një muaj?
Do jetë Peshkopia më e bukur, më e pastër dhe më e qetë!
Jam krenar se kemi arritur kaq shumë në këto vite. Kur e nisëm ishin 15% gra e vajza, sot janë 40% dhe ta bëjmë të mos ndalet e të ketë sikur 1 më shumë nga gratë e vajzat, sesa nga burrat. E nuk duhet të ndalemi pa e bërë numrin magjik 50 mijë e 1 vajza e gra socialiste.
Kam dy shembuj këtu përpara, kryetaren e bashkisë Bulqizë dhe Klos. S’e keni idenë se çfarë halli ishte me gjet kandidat në Klos në Bulqizë, ku kishte një grusht burrash që thoshin o ne, o ikëm me armikun. Këtë i thoshin edhe armikut. Laj thaj 7 ishin. Një tjetër në atë kohë më thotë, si i bëhet kësaj pune, të njëjtët burra, këta 7 burra të tërë, që i binin të fortëve. Po sikur t’i biem nga krahu tjetër i them?
Është tha Festa (Festime Mjeshtri, Bulqizë) po sikur s’na e duan disa sepse jo është ndarë nga burri e jo tjetër. Është ndarë nga burri i them? Po ajo duhet, atë bjere se ajo fiton! Dhe ja ku është sot, kryetare bashkie, fitoi me gra e vajza. Ndaj duhet ajo historia e Dine Hoxhës që tregova.
Ja ku është edhe Valbona (Valbona Kola, Klos). Por e rëndësishme është se jo thjesht janë zgjedhur dy gra, por Bulqiza dhe Klosi në krahasim me kto dy gra, nuk njihet sot me atë që ishte dikur kur e nisëm.
Kemi rritur përqindjen e anëtarëve këshilltare të bashkive me 50% të grave dhe vajzave në zgjedhjet e vitit 2023”. /Versus.al/








