
Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato ka folur mbrëmë në “Top Story” edhe lidhur me marrjen nën hetim nga SPAK-u të zëvendës kryeministres, Belinda Balluku e cila mban gjithashtu postin e ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës.
Gonzato nënvizoi se qëndrimi i tyre është mos komentimi i çështjeve të drejtësisë, por gjithashtu theksoi se parimi kryesor që rregullon pushtetin gjyqësor është prezumimi i pafajësisë sepse duhet fillimisht që të ketë hetime dhe procedura gjyqësore.
“E kuptoj çfarë doni të thoni. Ne kemi një politikë për të mos komentuar çështjet në hetim. Sepse një nga parimet që rregullon gjyqësorin është prezumimi i pafajësisë. Pra, nuk mund të fillosh të dënosh njerëzit përpara se të kenë ndodhur hetimet dhe procedurat gjyqësore”- tha ambasadori.
Ndër të tjera Gonzato e konsideroi pushtetin gjyqësor totalisht të pavarur nga qeveria dhe se raportimi i krerëve të tij në Kuvend është shumë i rëndësishëm në mënyrë që të pyeten nga deputetët nëse institucionet po bëjnë mjaftueshëm për qytetarët.
“Por, në përgjithësi, mendoj se është e qartë se, siç e thotë raporti, parlamenti nuk ushtron mjaftueshëm kontroll mbi veprimet e ekzekutivit. Dhe për t’u kthyer te ajo që thatë në lidhje me kontrollin edhe të gjyqësorit, nuk do ta quaja atë kontroll sepse gjyqësori, siç thashë, është i pavarur. Por autoritetet gjyqësore, SPAK, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli Gjyqësor, ata raportojnë. E dini, ata raportojnë rregullisht në parlament. Dhe mendoj se është e rëndësishme që këto debate të zhvillohen, që anëtarët e parlamentit t’i pyesin këto institucione, a po bëni mjaftueshëm për qytetarët? Por që ata gjithashtu t’i dëgjojnë kërkesat e tyre, sepse këto institucione ndonjëherë kërkojnë më shumë mjete, kërkojnë më shumë struktura, për më shumë, e dini, për disa rregullime të veçanta të ligjeve që rregullojnë funksionimin e tyre, etj. Pra, është një dialog që duhet të zhvillohet dhe është shumë e rëndësishme që të zhvillohet. Pra, nuk më pëlqen termi monitorim sepse nuk mendoj se parlamenti duhet të monitorojë institucionet e pavarura, por duhet të ketë një dialog midis të dyjave”- shtoi Gonzato. Versus.al
