
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lënë të kuptohet se PD mund të paraqesë figura të reja për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore, ndërkohë që Partia Socialiste ka shpallur Ogerta Manastirliun si kandidate.
I pyetur nga gazetarët nëse ka në mendje një rival konkret për Manastirliun, Berisha u shpreh se Partia Demokratike ka personalitete të shquara që mund t’i prezantojë qytetarëve të Tiranës, duke theksuar se ato përfaqësojnë vlerat e kundërshtimit përballë një figure që sipas tij është “simbol i zi për Tiranën dhe kombin”, dhe që nuk mund të ketë tjetër emër përveçse “Korba e Covid-it”.
Sa i përket mundësisë që mjeku Ilir Alimehmeti të jetë kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Berisha nuk e mohoi, por u tregua i kujdesshëm, duke theksuar se vendimet nuk merren individualisht.
Gazetarët: Z.Berisha a e keni të projektuar në mendje rivalin e znj.Manastirliu?
Sali Berisha: Unë mendoj se Partia Demokratike ka figura, personalitete të shquara për t’i paraqitur qytetarëve të Tiranës që mishërojnë më së miri çdo vlerë përballë një personi që është simbol i zi për Tiranën dhe kombin, që nuk mund të ketë kurrë emër tjetër, përveçse “Korba e Covid-it”.
Gazetarët: Z.Berisha a mund të ishte Ilir Alimehmeti kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës?
Sali Berisha: Po tani, a më shkon mua që të avancoj në këtë moment pa një diskutim po vetëm nga mendja ime? Kjo nuk ndodh, por Ilir Alimehmeti është një personalitet i shquar i Partisë Demokratike, i denjë për t’u promovuar për shumë funksione./Versus.al







