Ilir Alimehmeti, një nga kandidatët më të votuar të opozitës në zgjedhjet e 11 majit, por që nuk arriti të siguronte një mandat deputeti, ka reaguar ashpër për situatën në Partinë Demokratike, duke e quajtur atë "të sëmurë" nga mungesa e hapjes dhe mungesa e meritokracisë.
Në një intervistë të drejtpërdrejtë, Alimehmeti kujtoi se ishte bashkuar me PD-në në prill të vitit 2022, duke besuar në premtimin e rithemelimit përmes lëvizjes “Foltore”, që premtonte hapje të partisë dhe ndërtim mbi parimin e meritokracisë. Por sipas tij, ajo që duhej të ishte një “fresh start”, mbeti vetëm në letër.
“Ky ristart nuk ndodhi. Pritshmëritë që u ngritën mes demokratëve nuk u përmbushën kurrë. Dhe nuk ka gjë më zhgënjyese sesa t’i japësh dikujt shpresë, për ta rrëzuar më pas”, u shpreh Alimehmeti.
Ai theksoi protestën e 7 korrikut 2022 si një pikë kulmore të mbështetjes popullore ndaj idesë për një PD të re dhe të hapur, por që, sipas tij, u tradhtua nga vendimet që gradualisht mbyllën partinë dhe refuzuan rregullat e meritës.
“Është si puna e oksigjenimit – nëse s’ke hapje, partia nuk merr frymë. Nuk ka zhvillim, nuk ka fitore”, tha ai, duke shtuar se për një garë të suksesshme, kontributi i individëve nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me produktivitet dhe vizion fitues.
Në analizën e tij për rezultatin e zgjedhjeve, Alimehmeti pranoi se përgjegjësia kryesore bie mbi qeverinë, por tha se edhe PD ka një pjesë të saj në dështim. Ai bëri thirrje për vetëreflektim të thellë brenda forcës politike, si një mënyrë për të rifituar besimin e qytetarëve.
“Partitë moderne perëndimore e kanë treguar se hapja dhe kalimi gradual i kompetencave funksionojnë. Ne mund ta ribëjmë PD-në, por vetëm nëse pranojmë gabimet dhe tregojmë formulën e korrigjimit të tyre.”
Duke komentuar mbi mënyrën se si është menaxhuar partia në prag të zgjedhjeve, ai tha:
“Në vend që të dëgjojmë zërin e kontribuuesve, i kundërvihemi atij. Rezultati është i qartë: përçarje e brendshme dhe humbje. O do rritemi me njerëzit tanë, ose do rrudhemi duke i larguar ata.”
Në fund, Ilir Alimehmeti nënvizoi se rikthimi i shpresës është i mundur vetëm nëse PD zbaton realisht parimet për të cilat u krijua lëvizja e rithemelimit: hapje reale, meritokraci, bashkim dhe përgjegjësi politike.
“Nuk kemi më kohë për ftohje mes nesh për gjëra të vogla. Përballë kemi një të keqe shumë më të madhe, dhe nëse nuk bashkohemi, do vazhdojmë të humbasim, jo vetëm zgjedhjet, por edhe të ardhmen.”







